Kryeministri serb, Vuçeviq: Kam përshtypjen se Kurti nuk mendon ta formojë Asociacionin
Kryeministri serb, Millosh Vuçeviq dhe përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak.
Kryeministri serb, Millosh Vuçeviq, pas takimit të mbrëmshëm me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, ka theksuar se përshtypja e tij është se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk do ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Në një deklaratë nga Athina, Vuçeviq ka thënë se deri në fund të këtij viti, nuk parasheh planin e aktiviteteve të Kurtit për formimin e Asociacionit.
“Kjo është përshtypja ime, nuk mund të them se është mesazh zyrtar i Mirosllav Lajçakut, por kam krijuar përshtypjen se Kurti nuk mendon ta formojë Asociacionin. Deri në fund të këtij viti askush nuk e sheh as planin e aktiviteteve të tij në formimin e Asociacionit. Kështu që nuk hyj në gjëra të përgjithshme, cila do të ishte përmbajtja e atij Asociacioni”, ka deklaruar ai nga Athina, raportojnë mediat serbe.
Ndërsa, përfaqësuesi i BE-së, Miroslav Lajçak, gjithashtu ka konfirmuar takimin me kryeministrin serb, duke e informuar atë për zhvillimet aktuale në dialogun Kosovë-Serbi dhe për marrëdhëniet e BE-së me Serbinë.
“Në Athinë, u takova me kryeministrin e ri Millosh Vuçeviq. E informova për zhvillimet aktuale në dialog dhe fola rreth marrëdhënieve BE-Serbi”, ka shkruar Lajçak në platformën X.
Rruga Press