Kryeministri polak ngreh alarm: Trupat e Wagnerit mund të paraqiten si migrantë për të hyrë në BE
Luftëtarët e Wagnerit në Bjellorusi mund të paraqiten si migrantë dhe të hyjnë në BE, ka paralajmëruar kryeministri polak Mateusz Morawiecki.
Rreth 100 trupa të Wagnerit kanë lëvizur pranë qytetit Grodno, afër kufirit polak dhe të Lituanisë, shtoi kryeministri.
Disa trupa janë zhvendosur në Bjellorusi sipas një marrëveshjeje për t’i dhënë fund një rebelimi të shkurtër në Rusi në qershor.
Udhëheqësi i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, ka mohuar më parë se ka provokuar një krizë emigrantësh në Evropë duke joshur emigrantët e mundshëm në kufijtë e saj me vendet e BE-së, raportoi BBC.
Por Morawiecki ka thënë të shtunën se më shumë se 100 anëtarë të grupit Wagner ishin zhvendosur në Bjellorusinë veri-perëndimore pranë hendekut Suwalki – kufiri 95 km i Polonisë me shtetin tjetër të BE-së, Lituaninë, që ndan Bjellorusinë dhe enklavën ruse të Kaliningradit.
Ai pretendoi se mercenarët mund të paraqiten si roje kufitare bjelloruse për të ndihmuar migrantët të kalojnë në BE, apo edhe të pretendojnë se janë vetë migrantë për të hyrë në bllok.
“Tani situata po bëhet edhe më e rrezikshme”, tha ai.
“Ky është sigurisht një hap drejt një sulmi të mëtejshëm hibrid në territorin polak”.
Morawiecki ka treguar se ka pasur 16,000 tentime për ta kaluar kufirin mes Bjellorusisë dhe Polonisë këtë vit deri tash.
Rruga Press