Lajme

Kryeministri Kurti u bën thirrje NATO-s dhe BE-së që të lehtësojnë anëtarësimin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje për pranim të shtetit në Bashkimin Evropian dhe në NATO, duke i thënë agjencisë së lajmeve “AFP” se pushtimi rus i Ukrainës nënkupton që të dyja organizatat duhet ta bëjnë më të lehtë – dhe më të shpejtë – rrugën për pranimin e një kandidati.

“Është shokuese”, ka thënë Kurti në një intervistë për “AFP-në”. “Është vështirë e besueshme të besosh atë që po ndodh – por askush s’mund të pretendojë se është befasuar”.

Pas ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë, Kurti ka bërë thirrje që Bashkimi Evropian dhe NATO-ja të forcojnë krahun lindor në Ballkanin Perëndimor duke ua mundësuar pranimin më të shpejtë në bllok.

Lexo më shumë  Presidentja Osmani: Kosova nuk ka pëllëmbë toke për të falur, mbrojtja e saj është betimi ynë i përjetshëm

“Në situata të jashtëzakonshme, nuk mund të sillemi normalisht”, ka thënë Kurti. “Prandaj, pranimi në BE dhe në NATO nuk mund të bëhet në mënyrat e vjetra. Është imperativ që Brukseli, si kryeqytet i të dyjave, NATO-s dhe BE-së, të rimendojë një mënyrë të re të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor”.

Kosova tashmë ka marrë mbështetjen e disa shteteve anëtare për pranim në NATO dhe BE, por shtetet mosnjohëse shihen si pengesa. Nga rajoni, Maqedonia, Mali i Zi, Shqipëria dhe Serbia janë në faza të ndryshme të procesit të pranimit në BE.

Në intervistën e tij, Kurti ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, është i paparashikueshëm. “Është lider i luftës dhe jo lider i paqes”, ka shtuar Kurti.

Kurti ka thënë se Putini do të përdorë edhe akterët që i kontrollon në Ballkanin Perëndimor.

“Teksa synojnë konflikte të reja, Ballkani Perëndimor në përgjithësi dhe Kosova në veçanti, janë në rrezik. Në të kaluarën, presidenti rus na përmendte një herë në muaj. Tani disa herë në javë”, ka paralajmëruar ai për rrezikun që vjen nga Putini dhe për raportet e afërta me Serbinë dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *