Kryeministri Kurti përmbledhje për takimet që ka pasur gjatë tre ditëve në Uashington
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë një përmbledhje të takimeve të tij gjatë tri ditëve të qëndrimit në Uashington dhe takimeve që ka pasur me zyrtarë amerikanë.
Ai përmes një postim në llogarinë e vet në “Facebook” ka thënë se qëllimi kryesor i takimeve ishte avokimi për siguri dhe rritja e investimeve amerikane në Kosovë.
“Qëllimi ynë kryesor gjatë gjithë këtyre takimeve ishte për të avokuar sa më fuqishëm për vlerat dhe prioritetet e përbashkëta të Republikës së Kosovës dhe ShBA-së. Përkushtimi afatgjatë për siguri dhe paqe i Republikës së Kosovës, përshpejtimi i procedurave për anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian, rritja e investimeve amerikane dhe vëmendja më e shtuar për sigurinë e Kosovës, ishin disa prej temave kyçe që diskutuam në Washington, D.C”, ka shkruar Kurti.
Postimi i plotë i tij:
Gjatë qëndrimit tonë triditor në Washington, D.C., zhvilluam një sërë takimesh të rëndësishme me zyrtarë të lartë të dy degëve politike të qeverisë federale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dega ekzekutive dhe ajo legjislative. Takime të frytshme kemi zhvilluar me zyrtarët më të lartë të administratës Biden në fushat e sigurisë kombëtare dhe zhvillimit ndërkombëtar: z. Jake Sullivan, këshilltar i Sigurisë Kombëtare, dhe znj. Samantha Power, administratore e Agjencisë së ShBA-së për Zhvillimin Ndërkombëtar. Ndërsa, në Kongresin amerikan, jemi pritur nga udhëheqësit kryesorë në fushën e politikës së jashtme, z. Bob Menendez, kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, dhe z. Gregory Meeks, kryetar i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Punët e Jashtme, si dhe jemi takuar me senatorët Joni Ernst, Chris Murphy, Jeanne Shaheen, Thom Tillis dhe Ted Cruz, dhe me kongresistët Ritchie Torres, Jim Himes, Robert Aderholt, Lisa McClain, Carolyn Maloney, Darrell Issa, Elissa Slotkin, Mondaire Jones, Jim McGovern, Brad Schneider dhe Bill Keating.
Qëllimi ynë kryesor gjatë gjithë këtyre takimeve ishte për të avokuar sa më fuqishëm për vlerat dhe prioritetet e përbashkëta të Republikës së Kosovës dhe ShBA-së. Përkushtimi afatgjatë për siguri dhe paqe i Republikës së Kosovës, përshpejtimi i procedurave për anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian, rritja e investimeve amerikane dhe vëmendja më e shtuar për sigurinë e Kosovës, ishin disa prej temave kyçe që diskutuam në Washington, D.C.
Në të gjitha takimet zyrtare potencuam se për sigurinë e Kosovës kemi nevojë për një demilitarizim të një brezi rrotull kufirit të Kosovës me Serbinë, kthimin e kampit ushtarak “Bondsteel” në bazë të përhershme të ushtrisë amerikane, si dhe rritjen e mbështetjes për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Zyrtarët e lartë të ShBA-së i njoftuam për progresin demokratik e socioekonomik pas një viti në drejtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe për punën e angazhimin tonë në fuqizimin e sundimit të ligjit, sidomos përmes luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Nga të gjithë zyrtarët morëm mbështetje shprehimisht për njohjen e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe pranuam falënderime për ndihmën që u kemi dhënë refugjatëve afganë, për rreshtimin përkrah ShBA-së dhe botës demokratike me vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë pas invazionit ilegale të Ukrainës dhe për gatishmërinë tonë për të strehuar deri në 5,000 refugjatë prej atij konflikti.
Po ashtu, zyrtarët amerikanë na përgëzuan për qëllimin gjatë vizitës sime në ShBA për të prezantuar mundësitë për investime dhe për të nxitur investitorë potencialë në Kosovë, një faktor ky i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit tonë.
Përveç takimeve zyrtare, isha mysafir i platformës “Front Page” të “Atlantic Council”, ku zhvillova një bashkëbisedim të rëndësishme rreth situatës aktuale në botë dhe sesi ajo ndikon në sigurinë e Kosovës dhe përspektivën për paqe në rajon. Gjatë bisedës ritheksova rëndësinë e marrëdhënieve të veçanta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo vetëm sepse historia jonë është e thurur në kohë çlirimi dhe nevoje, por sepse jemi të lidhur me vlerat e përbashkëta të lirisë dhe demokracisë.
Rikujtova sesi nga një viktimë e luftës dhe gjenocidit, Kosova është bërë një shtet i pavarur, sovran, me institucione të plota demokratike dhe një kushtetutë të bazuar në parimet e lirisë, paqes, demokracisë, barazisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Historia e suksesit tonë është histori që ne tani e ndajmë me komunitetin botëror të kombeve demokratike.
Në kuadër të iniciativës Dialogut me Mërgatën, edhe në Washington, D.C. takova bashkatdhetarë tanë profesionistë, me të cilët bisedova për mundësitë e përfshirjes së mërgatës në proceset politike, ekonomike, kulturore dhe shoqërore të Kosovës.
Bashkëbiseduam për rëndësinë e posaçme që ka rrjetëzimi i profesionistëve në mërgatë, ndërtimi i mekanizmave për transferimin e njohurive, ekspertizës dhe burimeve dhe krijimi i instrumenteve për përfshirje aktive në politikat zhvillimore.
Qeveria jonë e vlerëson mërgatën si faktor për zhvillimin e vendit dhe synon të rrisë angazhimin e këtyre profesionistëve në përpilimin e politikave zhvillimore dhe strategjike, në zbatimin e politikave, si dhe për investime të përbashkëta me ndërmarrjet vendore në Kosovë.
Falënderova komunitetin shqiptar të Washington D.C. për pritjen, si dhe për dialogun e thelluar mbi mënyrën se si profesionistët e komunitetit mund të kontribuojnë në përparimin e vazhdueshëm të Kosovës.
Në përfundim të vizitës në Washington, D.C. u prita nga Këshillat Amerikanë, ku u takova me drejtuesit e tij dhe mysafirë të tjerë të ftuar.
Këshillat Amerikanë funksionon edhe në Republikën e Kosovës dhe është organizata zbatuese e disa programeve të studimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mbështetura nga Qeveria amerikane, ndër to programin KAEF që i dedikohet zhvillimit afatgjatë ekonomik të vendit nëpërmjet edukimit të të rinjve nga Kosova në universitetet më të përzgjedhura në ShBA.
U shpreha mirënjohjen time drejtuesve të kësaj organizate për kontributin në ngritjen e kapaciteteve intelektuale dhe profesionale si dhe përvojave kulturore të vendit nëpërmjet programeve të ndryshme nga të cilat kanë përfituar qindra studentë të Republikës së Kosovës.
Programe të tilla ku studentët tanë studiojnë e shkollohen në institucione amerikane, për t’u kthyer pastaj e për të dhënë kontributin e tyre në vend, janë tejet të rëndësishme për zhvillimin e vendit tonë. Në këtë mënyrë, përpos dijes dhe aftësive të përfituara me të cilat i kontribuojnë vendit, ndërtojmë edhe më shumë ura lidhëse ndërmjet dy vendeve dhe dy popujve tanë.
Rruga Press