Kryeministri Kurti: Një triumf i Rusisë në Ukrainë e kërcënon paqen në Ballkan
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se rajoni i Ballkanit ka gëzuar nivelin më të lartë të paqes, lirisë dhe demokracisë përgjatë 25 vjetëve të fundit, por se kjo mund të ndryshojë nëse Rusia triumfon në Ukrainë dhe inkurajon kështu zgjerimin serb.
Kurti ka thënë se ka qenë e rëndësishme për Perëndimin të qëndrojë i bashkuar në mbështetje të Ukrainës ndërsa ajo e mbron veten kundër agresionit rus.
Në një intervistë për “Associated Press”, Kurti ka theksuar se një Rusi më e fuqishme do ta trimëronte Serbinë – dhe se jo vetëm Kosovë, por edhe Bosnja, Mali i zi dhe “ndoshta Maqedonia e Veriut” do të rrezikoheshin nga ato që ai i përshkroi si ambicie ekspansioniste serbe.
Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë mbeten të tensionuara dhe bisedimet e normalizimit për 13 vjet kanë dështuar të sjellin progres, veçanërisht pas sulmit në shtator të vitit të kaluar në Banjskë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, afrim Bunjaku.
KFOR-i po ashtu ka rritur numrin e ushtarëve përreth kufirit Kosovë-Serbi.
“Këto 25 vjet në këtë shtet, ka qenë një çerek shekulli me nivelin më të lartë të paqes, lirisë dhe demokracisë në Ballkan”, ka thënë Kurti.
I pyetur çfarë do të nënkuptonte për Kosovën dhe Ballkanin nëse Rusia do të triumfonte në Ukrainë, Kurti ka thënë se “me Serbinë, që është hegjemoni rajonale dhe bashkëpunëtore e Rusisë, këto 25 vjet paqe, liri dhe demokraci në Ballkan, të paprecedentë në historinë tonë, sërish janë në rrezik”.
“Presidenti despotik Putin, do të inkurajohej për të vazhduar më tej me përpjekjet e tij për destabilizim, aq më tepër nëse ndihet i suksesshëm në Ukrainë. Unë vërtetë nuk dua të besoj që, në teori, ai mund të fitojë. Por, vetëm ideja që ai mendon se mund ta fitojë luftën, është mjaftueshëm problematike”, ka theksuar Kurti.
Rruga Press