Kryeministri Kurti në takim me Hoaliang Xu, vlerëson partneritetin me UNDP
Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri Albin Kurti zhvilloi takime të ndara me nënsekretarin e përgjithshëm dhe Administratorin e Asociuar të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), Haoliang Xu si dhe kryeministren e Samoas, Fiamē Naomi Mata’afa.
Në takim me Xu, sipas njoftimit të Kryeministrisë, Kurti vlerësoi partneritetin dhe bashkëpunimin e ngushtë me UNDP-në në shumë projekte e fusha me interes të përbashkët.
“Më tej e njohu nënsekretarin me aktualitetin në vend dhe progresin që ka njohur vendi në tre vitet e fundit të qeverisjes. Nga rritja ekonomike dhe shpërndarja e barabartë e saj te të gjithë qytetarët pa dallim, shtesat për nënat dhe fëmijët, mbështetja e bizneseve, rritja e vendeve të punës sidomos për gratë dhe të rinjtë, sundimi i ligjit e luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thuhet në njoftim.
Kurti tutje shtoi se arritjet dhe zhvillimin që po përjeton vendi, u dëshmuan edhe përmes rankimeve e matjeve ndërkombëtare. Kryeministri shprehu mirënjohjen për mbështetjen nga ana e UNDP- së edhe në programe që prekin transformimin digjital, transparencën dhe qeverisjen e mirë.
“U theksuan projektet zhvillimore në pjesën veriore të Republikës së Kosovës dhe bashkëpunimi me UNDP në këtë aspekt. Kryeministri theksoi nxitjen e të bërit biznes përmes incentivave të Qeverisë, si dhe projektet infrastrukturore që do përkrahen në kuadër të organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030. Të njëjtat, theksoi Kryeministri, do ndihmojnë zhvillimin ekonomik në dobi të qytetarëve dhe do mund të fuqizohen më tutje përmes bashkëpunimit me UNDP-në”, thuhet tutje në njoftimin e Kryeministrisë.
Nga ana e tij, nënsekretari Haoliang Xu vlerësoi reformat e thella dhe angazhimin nga Qeveria e Kosovës si dhe nënvizoi gatishmërinë e UNDP-së për të përkrahur iniciativat e qeverisjes së mirë dhe digjitalizimit të shërbimeve, që kanë për synim transparencën dhe gjithëpërfshirjen.
Ndërkaq, në takimin me kryeministren e Samoas, Fiamē Naomi Mata’afa, në fokus të bisedës ishte fuqizimi i marrëdhënieve dhe ngritja e bashkëpunimit dypalësh në fusha me interes të përbashkët.
Kryeministri theksoi rëndësinë e hulumtimit dhe zgjerimit të hapësirave të bashkëpunimit, si në fushën e arsimit për më shumë ndërlidhje mes popujve tanë, e po ashtu dhe në aspektin ekonomik e tregtar, për më shumë shkëmbime mes dy vendeve tona.
“Ai e njoftoi kryeministren e shtetit të Samoas edhe me progresin që ka njohur Kosova. Kryeministri shtoi se Kosova mbetet e përkushtuar edhe në tranzicionin drejt energjisë së gjelbër e të ripërtëritshme, për të kontribuar edhe në përballjen globale me ndryshimet klimatike. Duke e falënderuar për bisedën e takimin e zhvilluar, kryeministri shprehu mirënjohjen për shtetin e Samoas në kuadër të raporteve tona bilaterale, e ku edhe e ftoi kryeministren që ta vizitojë shtetin tonë”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Rruga Press