Lajme

Kryeministri Kurti kritika BE-së: Serbia strehon terroristë dhe synon destabilizim, ndërkohë Kosovës nuk i hiqen masat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kritikuar qasjen e Bashkimit Evropian karshi Kosovës dhe Serbisë. Në rilansimin e Programit “Willy Brandt” për zgjerim të Bashkimit Evropian, nga Socialistët dhe Demokratët, Kurti ka thënë se gjatë mandatit të tij politikat e Kosovës “më shumë janë pëlqyer sesa mbështetur”, ndërsa të Serbisë “më pak janë pëlqyer, e më shumë janë përkrahur”. Këtu ka thënë se përderisa Serbia ka marrë mbështetje të tillë, është pikërisht ky vend që strehon terroristët e rastit Banjska, ndërsa Kosova mbetet nën masa të Bashkimit Evropian.

“Përpjekjet tona për ta avancuar demokracinë, sundimin e ligjit dhe vlerat fundamentale të BE-së pranoheshin me fjalë. Por shumë rrallë mbështeteshin në aksione. Në fjalë të tjera, politikat tona më shumë janë pëlqyer se mbështetur. E politikat e fqinjit tanë janë pëlqyer më pak, por janë përkrahur më shumë. Fqinji jonë verior që është agresor dhe që provokon tensione e synon destabilizim sot strehon e mbron terroristët, por është Kosova që mbetet nën masat restriktive të Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.

Lexo më shumë  Nuk ka më terminale doganore private në Kosovë, të gjitha shtetërore

Kurti ka shtuar se loja e Serbisë mes Moskës dhe Brukselit, nuk duhet të tolerohet.

Ai ka thënë se e ardhmja e Kosovës është e lidhur me BE-në dhe se Kosova është e gatshme t’i bashkohet BE-së.

Kryeministri Kurti ka kërkuar nga Komisioni Evropian që të hiqen masat, ndërsa ka thënë se Kosovës duhet t’i jepet edhe pyetësori e po ashtu të marrë statusin e shtetit kandidat.

“Po kërkojmë nga Komisioni Evropian që të na hiqen masat. Miku im Josep Borrell, ish-përfaqësuesi i lartë i BE-së, i shkroi një letër 27 shteteve anëtare dhe tha se Kosovës duhet t’i hiqen masat. Por, siç e dini kur na u vendosën masat u vendosën si në heshtje e tash kur po duhet të hiqen po mjafton një anëtar apo një anëtar e gjysmë, të thotë jo apo të mos thotë po, e masat nuk po na hiqen. Masat duhet hequr. Duhet të marrin pyetësorin dhe po ashtu statusin e shtetit kandidat. Jo vetëm pasi është diçka që njerëzit duan, por mendoj se shteti ynë e meriton këtë”, tha Kurti.

Lexo më shumë  Komuniteti Amerikan i Inteligjencës: Rusia përdor ‘viktimizimin e serbëve’ në Kosovë për të ushqyer tensionet

Kurti ka thënë se Kosova pos Bashkimit Evropian dëshiron të anëtarësohet edhe në NATO.

Sa i përket samitit të Procesit të Berlinit që do të mbahet këtë vit në Londër, Kurti ka thënë se i kishte pëlqyer deklarata e Samitit që u mbajt në Londër në vitin 2018. Ai ka thënë se është shumë e rëndësishme sivjet të procedohet me njohjen e diplomave dhe kualifikimeve.

Në hapje të këtij programi, zyrtarët evropianë kanë thënë se synojnë bashkëpunimin më të ngushtë me shtetet që synojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. “Misioni jonë është i qartë: Ta bëjmë Evropën të plotë dhe të kompletuar”, thuhet në nisje të këtij programi.

Rruga Press

YouTube player