Kryeministri Kurti jep lajmin e shumëpritur: nga Janari të gjithë të punësuarve në sektorin publik do t’u rritet paga për 55 euro ndërsa nga korriku për 110 euro (Video)
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media së bashku me ministrin e Financave Hekuran Murati ka deklaruar se nga viti 2025 do të ketë rritje të pagave në sektorin publik.
Ai ka deklaruar të martën para mediave se nga janari do të jetë një pjesë e rritjes së pagave, e nga korriku i 2025-s do të jetë pjesa e dytë e rritjes.
“Për vitin e ardhshëm kemi edhe një lajm të mirë për të gjithë punonjësit e sektorit publik…tani në vitin 2025 do të jetë viti i tretë që i rrisim pagat. Po rriten pagat secilin vit, në përputhje me atë që e parasheh Ligji për financat publike. Pra rritja e pagave duhet të jetë në linjë me rritjen ekonomike….Duke pas parasysh nevojën për të mbështetur më së shumti ata që kanë paga më të ulëta, ne kemi shkuar në maksimumin e lejuar në rritjen buxhetore për pagat…Ta rrisim koeficientin për një njësi. Vlera e koeficioentit mbetet e njëjtë, por rriten njësitë”, ka thënë Kurti.
Kryeministri Kurti ka thënë se kostoja e plotë vjetore e kësaj rritje do të jetë rreth 120 milionë euro ku së bashku me rritjen që kanë bërë për pensionet dhe rritjen e shtesave për fëmijë e sjellë në total mbi 280 milionë euro shumën që do të përfitojnë xhepat e qytetarëve të Kosovës.
Rruga Press