Kryeministri Kurti: Digjitalizimi i shërbimeve për qytetarët prioritet kyç, planifikojmë ndërtimin e Qendrave të Integruara
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se digjitalizimi i shërbimeve për qytetarët është prioritet kyç në agjendën e tij qeverisëse.
Kurti, i cili mori pjesë në hapjen e edicionit të 13-të të Festivalit të Teknologjisë KosICT 2024, ka theksuar se po planifikohet ndërtimi i Qendrave të Integruara të Shërbimit, për të gjithë qytetarët që s’kanë mundësi t’i kryejnë këto shërbime vetë. Kjo sepse, siç ka thënë ai, “gjithëpërfshirja është çelësi”.
Tutje, Kurti ka thënë se platforma E-Kosova ka qenë një sukses i madh, ndërsa ka theksuar se siguria kibernetike është shumë e rëndësishme.
“Ky event është bërë i rëndësishëm në rrugëtimin digjital të Kosovës. Jemi të lumtur që nga ky edicion KosICT do të jetë pjesë e një strategjie më të gjerë. Si ballafaqohemi me sfida dhe mundësitë, do të ketë rëndësi të madhe. Transformimi digjital është një prioritet kyç në agjendën tonë qeveritare”.
Ai ka thënë se një ndër sukseset e Qeverisë ka qenë platforma E-Kosova ku mund të kryhen më shumë se 195 shërbime.
“Kjo është e ardhmja që duam ta ndërtojmë. Ku njerëzit s’kanë nevojë të rrinë në rende të gjata por i marrin ato që i duhen vetëm me një klik”.
Kurti tutje ka thënë se janë të fokusuar që politikat digjitale të zhvillohen në shërbim të qytetarëve, ndërsa për ata qe nuk munden t’i përdorin këto shërbime, do të ndërtohen Qendrat e Integruara të Shërbimit.
“Gjithëpërfshirja është çelësi. Për ata që nuk munden t’i përdorin shërbimet digjitale, do të mund të kërkojnë ndihmë në Qendrat e Integruara të Shërbimit. Qendrat e para do të jenë në Prishtinë dhe jemi të entuziazmuar se si këto qendra do të punojnë. Siguria është e rëndësishme kur flasim për digjitalizim. Prandaj kemi themeluar qendrën e sigurisë kibernetike dhe së shpejti do të hapen edhe vendet e punës për agjencinë e sigurisë kibernetike”.
Kryetari i bordit të Shoqatës së Kosovës për Teknologji Informative (STIKK), , Ermal Sadiku, tha se teknologjia e informacionit dhe komunikimit ka fuqinë për të ndryshuar jetën e njerëzve në vendet e vogla si Kosova.
“Është një ndër industritë më transformuese në botë. Në vendet e vogla si Kosova mund të shohim si teknologjia e zhvillon vendin dhe ndryshon jetën e njerëzve. Rëndësia e inxhinierëve është se ata trajnojnë inxhinierë të tjerë të rinj dhe kompani, për të ndryshuar jetën e njerëzve. Kjo është arsyeja pse duam që Qeveria të fokusohet në këtë sektor, sepse është mënyra më e lehtë për të bërë ndryshimin”.
Rruga Press