Kryeministri Kurti dhe Ministri Maqedonci takojnë ministren e Letonisë, diskutojnë rreth përvojave në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, takimin e parë bilateral në kuadër të Forumit të Varshavës për Siguri, Katarzyna Pisarka, e zhvilloi me ministren e Punëve të Jashtme të Letonisë, Baiba Brazhe , pas drekës ministeriale të shtruar nga Drejtorja Ekzekutive këtij forumi.
Letonia ka njohur pavarësinë tonë vetëm tre ditë pas shpalljes së saj me 17 shkurt 2008 dhe që atëherë e ka mbështetur Republikën e Kosovës në zhvillimin e saj dhe në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
“Duke shprehur mirënjohjen për përkrahjen e vazhdueshme, kryeministri theksoi rëndësinë e partneritetit bilateral dhe bashkëpunimit të afërt në avancimin e interesave të përbashkëta dhe mbrojtjes, si dhe promovimit të vlerave që Kosova dhe Letonia ndajnë përballë rreziqeve nga regjimet autokratike. Në këtë kontekst, diskutuan për mënyrat dhe mundësitë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Kryeministri Kurti e falënderoi ministren Braže për kontributin e Letonisë në sigurinë e vendit tonë përmes pjesëmarrjes së saj në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR”, njofton zyra për informim e Kryeministrit.
Gjithashtu u bë e ditur se gjatë takimit u diskutua edhe rreth zhvillimeve rajonale dhe situatës së sigurisë në kontinentin e Evropës, teksa agresioni ushtarak rus mbi Ukrainën po vazhdon dhe për rolin dhe përgjegjësinë që shtetet evropiane kanë për të mbështetur në mënyrë të pa rezervë Ukrainën në luftën e saj për çlirim, integritet territorial, sovranitet dhe demokraci.
Rruga Press