“Kryeministri faqezi, s’po i len dhelpnat n’kotec me hi!”, Lajçi i reagon Haradinajt, që po e kërkon rrëzimin e Kurtit
Aktori dhe shkrimtari i njohur Çun Lajçi, ka komentuar kërkesën e kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, për rrëzimin e kryeministrit Albin Kurti.
Në një shkrim në Facebook, Lajçi ka thënë se Haradinaj po u kërkon partive tjera, që të nënshkruajnë peticionin për rrëzimin e kryeministrit që “t’ia thyejnë qafën e të kthehen te koteci”.
Reagimi i plotë i aktorit:
Kryeministri faqezi, s’po i len dhelpnat n’kotec me hi!
Ai po rrinë mbështetun n’pemët e qytetit, kinse po shet libra!
Jo!
Ai po i kqyrë gratë tona si po i tundin vithet! Me kend po flasin? Kujt po i qeshin? Kujt po i telefonojnë? E mandej po i vargisë shkronjat mbarë e mbrapshtë.
– Unë pa pardon flas; – mua nuk m’ka goja lesh as syni ujë! – kishte thanë garipi plak!
– Unë shkruej çka m’shohin sytë e mi. S’u ve pika as presje shkronjave t’mia!
I pëshpëriste dje, mësuesi i Gollapit mikut të vet, tek sa kalonte sheshit, përballë artistit. Ai që çdo t’merkure zbret n’sheher me i pa fotografitë e të vdekunve, n’trupat e pemëve!
– I ka dalë zani për rrebel! Ai siduket vazhdimisht e shikon filmin; – “Rrebel pa arsye”!
Shkrimet i ka t’egra por kangët i ka t’buta. Të gryta! Erotike! Plot lang dashnie!
Por s’po dihet; – a po iu këndon atyne bareshave që qëndisnin meste n’hijet e staneve, apo, po u thurë vargje grave t’shefave që sorollatën para librave të tia e bajnë selfie me firaunin artist!
Dje, hiç ma larg, gruaja e atij deputetit që e rrjepi lëkurën tue e rrue qelën e rradakës, e kishte ble nji libër prej tij dhe ishte shtri n’kolltuk! Po shkrihej si krypa n’ujë tue folë; – sa shkrime t’idhta, t’tharta, t’egra, t’buta, t’ambla! Oh sa langëzore! Dhe lëpihej e përbihej!
– Boll ma se ta lash djalin jetim, i kishte bërtitë i shoqi!
Komshiu m’tha! Lamësh janë ba dje, këta komshitë e mi, për njifar libri “Jetimi”!
Dje kur kaloi shëtitores ajo syzeza, e dyta e partisë së dalun nga lufta, ajo thacajka, ky e mori çftelinë dhe piskati; – kur ti shoh ty sytë e zi, bukë nuk ha as ujë nuk pi, ku ta baj nji natë me ty!
Ajo viranja, veç i hudhi flokët mbrapa shpatullave e ofshani; – shkruej e mos k’no, se tu lag baruti!
Ky menjiherë e rrotulloi kangën; – kryeministri faqezi, s’po i len dhelpnat n’kotec me hi! – demek ia gjuejti Ramushit, që po thotë për kryeministrin; – ai asht i pafytyrë. Nënshkruejeni peticionin t’ia thejmë qafën e t’kthehemi te koteci!
Fliste mësuesi i Gollapit e shitësi i librave rrinte mbështetun n’trupin e pemës tue krua shpinën, si arusha!
Rruga Press