Kryeministri Albin Kurti: Kosova mbështet pavarësinë dhe sovranitetin e Ukrainës
Qeveria e Kosoves mbështet sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin teritorial të Ukrainës, deklaroi sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë një seance të Kuvendit të Kosovës të martën (22 shkurt) ku deputetë të pozitës dhe opozitës kërkuan vëmendjen e qeverisë sa i përket situatës në Ukrainë.
Kurti shtoi se Kosova do të jetë “përherë e bashkërenduar me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n”.
Më 21 shkurt, Kombet e Perëndimit dhe vende tjera kanë dënuar vendimin e presidentit rus, Vladimir Putin për të njohur pavarësinë e separatistëve të mbështetur nga Rusia në rajonet lindore ukrainase, Donjeck dhe Luhansk.
Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës gjithashtu ka reaguar në mbështetje të Ukrainës duke bërë thirrje për ndalje të Putinit.
Në një reagim në Twitter, MPJD ka thënë se Putin ka bërë dhe po bën luftëra kundër demokracisë në Evropë.
“Kosova qëndron me Ukrainën kundër agresionit të Rusisë. Putini edhe njëherë po bën luftë kundër një demokracie paqësore. Ai ka bërë luftëra hibride kundër demokracive nëpër Evropë për vite me radhë. Bota e lirë duhet t’i përgjigjet Putinit dhe përfaqësuesve të tij me vendosmëri”, thuhet në reagim.
Rusia ka mbledhur më shumë se 150,000 trupa afër kufirit të Ukrainës në muajt e fundit, duke rritur shqetësimet për pushtim të shpejtë të shtetit fqinj.
Lidhur me këtë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi tha se kriza me Ukrainën mund ta afektojë shumë shpejt edhe rajonin e Ballkanit dhe Kosovës.
Ai ka thënë se është urgjente që institucionet kosovare të sigurisë të mblidhen dhe “të shqyrtojnë e monitorojnë me kujdes situatën me të cilën bota është duke u ballafaquar”.
“Kërkesa ime është që në këtë situatë delikate të jemi të bashkuar përballë një krize që mundet në mënyrë direkte apo indirekte të na prekë të gjithë neve dhe rajonin”, tha ai.
Vëmendjen e Qeverisë dhe Kuvendit lidhur me situatën në Ukrainë e ka kërkuar edhe deputeti opozitar nga Partia Demokratike e Kosovës, Enver Hoxhaj.
“Qeveria duhet të mbledhë Këshillin Kombëtar të Sigurisë. Nëse SHBA-ja vendosë sanksione, sot Qeveria e Kosovës duhet të vendosë sanksione”, tha ai.
Më 2014, Rusia ka pushtuar Ukrainën dhe ka fituar kontrollin e rajonit të Krimesë.
Që nga ajo kohë, separatistët në lindje të Ukrainës kanë zhvilluar një konflikt të përgjakshëm me Qeverinë e Kievit.
Moska ka hedhur poshtë planet për pushtim të Ukrainës, para vendimit të Putinit më 21 shkurt, duke thënë se duhet të mbahet paqja dhe të mbrohen civilët.
Rruga Press