Kryekuvendari në Mitrovicën e Veriut: Kemi gjetur mjerim, do t’i ndryshojmë gjërat
Kryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut, Nexhat Ugljanin, ka thënë se e kanë gjetur në gjendje të mjerueshme Komunën, ndërsa ka premtuar se do të punojnë për t’i ndryshuar gjërat.
Ugljanin të premten udhëhoqi seancën e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, ku u betua për herë të parë një kryetar shqiptar, Erden Atiq. Ugljanin ka treguar se qe gjashtë muaj, Komuna e Mitrovicës së Veriut ka funksionuar vetëm me 10-12 punëtorë shqiptarë, pas dorëheqjes së serbëve nga të gjitha institucionet në nëntor të vitit të kaluar.
“Ne si Kuvend punojmë sipas ligjshmërisë. Komuna ka qenë në bllokadë sepse nuk ka mundur të funksionojë pa ekzekutivin. Tani me betimin e kryetarit, shumë probleme do të zgjidhen, pasi ka qenë gjendje e mjerueshme – kemi gjetur vetëm 10 deri në 12 punëtorë nga komuniteti shqiptar. Ne do t’i ndryshojmë gjërat, pasi komuna duhet të funksionojë si komunë”, ka thënë Ugljanin në “60 Minuta” të KTV-së.
Ugljanin ka thënë se procesi i betimit të kryetarit të ri ka shkuar sipas rregullave. Ka pasur edhe një tubim të grave para Komunës, që sipas tij, ka mundur të jetë me qëllim provokimi.
“Procesi i betimit të kryetarit është shkuar sipas rregullave dhe Kuvendi e ka organizuar në mënyrën më të mirë. Ka pasur një tubim të grave para Komunës, ndoshta me qëllim provokimi. Unë kam kërkuar shpjegim, ato nuk kanë dashur të takohen me kryetarin. Vetëm një grua nga komuniteti serb e kam çuar të bisedojë me kryetarin”, ka shtuar ai.
Ugljanin ka theksuar se muajin tjetër do të mbajnë një seancë ku do të takohen me qytetarët për të diskutuar kërkesat e tyre. Ka thënë se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me secilin komunitet.
Për deklaratat e palës serbe dhe të ndërkombëtarëve, Ugljanin është shprehur se si Kuvend Komunal nuk merren me gjëra të tilla, por “punojmë në të mirë të qytetarëve”.
Vendim të duhur e ka konsideruar atë që Kuvendi Komunal që e udhëheq bëri me hapjen e Urës së Ibrit pak javë më parë.
“Është vendim i duhur për këto momente. Edhe marrëveshja e Brukselit e parasheh hapjen e urës”, ka theksuar ai.
Rruga Press