Bota

Kryebashkiaku i Mariupolit: Rrethimi rus i qytetit ka shkaktur më shumë se 10 mijë viktima

Kryetari i bashkisë së qytetit port të Mariupolit në Ukrainë tha të hënën se më shumë se 10 mijë civilë kanë vdekur gjatë rrethimit rus të qytetit dhe se numri i viktimave mund të shkojë deri në 20 mijë me “kufomat që dergjen rrugëve” të qytetit.

Duke folur me telefon të hënën me agjencinë Associated Press, kryebashkiaku Vadym Boychenko tha gjithashtu se forcat ruse sollën pajisje të lëvizshme krematoriumi në qytet për të asgjesuar kufomat. Ai akuzoi forcat ruse për refuzimin e lejimit të autokolonave humanitare në qytet në një përpjekje për të fshehur masakrën.

Ndërkohë, Rusia pretendon të ketë shkatërruar disa sisteme të mbrojtjes ajrore ukrainase në atë që dukej të jetë një përpjekje e re për të fituar epërsi ajrore dhe për të shkatërruar mjetet që Kievi i ka cilësuar si vendimtare përpara një ofensive të re të pritshme në lindje.

Moska tha se goditi katër raketa-hedhëse S-300 pranë qytetit qendror të Dnipros, të cilat ishin siguruar nga një vend evropian, që nuk e përmendi. Sllovakia i dha Ukrainës një sistem të tillë javën e kaluar, por mohoi që ishte ai sistem që ishte shkatërruar. Rusia njoftoi më parë dy sulme në sisteme të ngjashme në pika të tjera.

Lexo më shumë  Qeveria pro-ruse gjeorgjiane pezullon negociatat me BE-në, shpërthejnë protestat në Tbilisi

Sulmi fillestar i Moskës ngeci në disa fronte pasi u ndesh me rezistencë të ashpër nga forcat ukrainase, të cilat i penguan forcat ruse të merrnin kryeqytetin dhe qytetet e tjera. Dështimi për të fituar kontrollin e plotë të hapësirës ajrore të Ukrainës ka penguar aftësinë e Moskës për të siguruar mbulim ajror për trupat në terren, duke kufizuar përparimet e tyre dhe duke i ekspozuar ato ndaj humbjeve më të mëdha.

Me pengimin e ofensivës së tyre në shumë pjesë të vendit, forcat ruse janë mbështetur gjithnjë e më shumë në bombardimin e qyteteve – një strategji që ka lënë shumë zona urbane të rrafshuara duke vrarë mijëra njerëz. Lufta ka shkatërruar gjithashtu ekonominë e Ukrainës, me Bankën Botërore që vlerëson se ajo do të tkurret me më shumë se 45% këtë vit.

Lexo më shumë  Pas fitorës së raundit të parë të zgjedhjeve nga kandidati anti-Nato, Presidenti i Rumanisë mbledh Këshillin e Lartë të Mbrojtjes për cënimet e sigurisë nga Tiktok-u

Autoritetet ukrainase akuzojnë forcat ruse për kryerjen e mizorive, duke përfshirë një masakër në qytetin Buça, jashtë Kievit, sulme ajrore në spitale dhe një sulm me raketa që vrau të paktën 57 njerëz javën e kaluar në një stacion treni.

Në Buça të hënën, rifilloi puna e zhvarrosjes së trupave nga një varrezë masiv në oborrin e një kishe.

Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u lut për më shumë ndihmë perëndimore, duke thënë se forcat e tij kanë nevojë për fuqi më të madhe zjarri për t’i rezistuar sulmit të ardhshëm dhe për të zbrapsur forcat ruse. Duke i bërë jehonë komenteve të tij në një intervistë për agjencinë Associated Press, AP, zoti Zelenskyy tha se kjo javë mund të jetë vendimtare dhe se mbështetja perëndimore – ose mungesa e saj – mund të jetë vendimtare./voa/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *