Bota

Kroacia me shërbim të detyrueshëm ushtarak nga 1 janari

Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Kroacia do të prezantojë shërbimin e detyrueshëm ushtarak që do të zgjasë dy muaj.

Kështu njoftoi ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, i cili dha disa detaje rreth këtij vendimi.

“Shërbimi i detyrueshëm ushtarak do të zgjasë dy muaj, duke filluar nga 1 janari 2025. Po vazhdojmë me të gjitha aktivitetet që kemi paralajmëruar deri më tani, kemi rritur pagat e ushtarëve, nënoficerëve, oficerëve dhe të drejtat e tyre materiale janë përmirësuar, jo vetëm përmes pagave, por edhe përmes mëditjeve dhe përfitimeve tjera”, tha Anushiq.

Lexo më shumë  Rusia rrit aktivitetin, amerikanët ‘fortifikojnë’ Alaskën, dërgojnë trupa dhe raketahedhës

Ministri ka komentuar edhe spekulimet për reduktime të mundshme në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes për shkak të ribalancimit të buxhetit të shtetit, shkruan dnevnik.hr.

Anushiq theksoi se në marrëveshje me ministrin e Financave kanë vendosur që nuk ka vend për kursime në procesin e modernizimit dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura.

“Ne vazhdojmë të pajisim dhe modernizojmë Forcat tona të Armatosura sipas planeve dhe marrëveshjeve me aleatët e NATO-s. Jam i bindur se do të kemi një ushtri shumë më të fortë dhe më cilësore sesa kemi pasur deri më tani”, tha Anushiq.

Lexo më shumë  SHBA-ja thotë se plani i fitores i Zelenskyt ‘mund të funksionojë’

Ky i fundit theksoi se ky është qëndrimi i Qeverisë së Kroacisë, duke pohuar se situata aktuale e sigurisë nuk lejon kursime në këtë fushë.

Në vitin 2008, Kroacia pezulloi përkohësisht shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe që atëherë ushtria ka qenë ekskluzivisht në baza vullnetare. Megjithatë, pas agresionit rus në Ukrainë dhe përkeqësimit të situatës globale të sigurisë, Kroacia filloi të shqyrtojë rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

YouTube player