Bota

Kroacia e njeh Holodomorin si gjenocid të Stalinit në Ukrainë

Parlamenti i Kroacisë votoi të mërkurën për njohjen e Holodomorit si gjenocid.

Ky term nënkupton vdekjen e miliona njerëzve në Ukrainë në vitet 1930, nën udhëheqësin sovjetik, Joseph Stalin.

Regjimi i tij krijoi artificialisht uri, që preku popullsinë e Ukrainës sovjetike, të Kaukazit të Veriut dhe të zonës përreth rrjedhës së poshtme të lumit Vollga, midis viteve 1932 dhe 1933.

Lexo më shumë  Shpërthime në Kiev, droni rus rrëzohet pranë pallatit presidencial gjatë vizitës së kryeministrit britanik

Vlerësohet se deri në 9 milionë njerëz vdiqën si rezultat i ekzekutimeve, dëbimeve dhe urisë gjatë Holodomorit.

Më e goditura ishte Ukraina, si zona më pjellore bujqësore e Bashkimit Sovjetik.

Me deklaratën e miratuar, Parlamenti kroat tha se e njeh Holodomorin si gjenocid kundër popullit ukrainas.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e falënderoi Kroacinë për këtë veprim.

“Bota nuk do t’i pranojë kurrë krimet e Kremlinit – as të shkuarat, as të tashmet”, shkroi Zelensky në Twitter.

Lexo më shumë  Raporti i këshilltarit special: Donald Trump do të ishte dënuar për përpjekjen e tij për të përmbysur rezultatet e 2020, nëse nuk do të zgjidhej president

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, shprehu po ashtu mirënjohje për Kroacinë, duke thënë se “njohja globale e gjenocidit të Holodomorit” vazhdon të rritet me shpejtësi.

Ai shtoi se 27 vende e njohin urinë si gjenocid.

Viktimat e Holodomorit përkujtohen në Ukrainë dhe në mbarë botën çdo vit, në të shtunën e katërt të nëntorit.

Rruga Press

YouTube player