Gjeopolitikë

Kriza Ukrainë-Rusi, Blinkeni takon Lavrovin: Të shohim nëse diplomacia mund ta zgjidhë ende krizën

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken do të zhvillojë sot bisedime me ministrin e Jashtëm rus Sergey Lavrov në Gjenevë, mes frikës së vazhdueshme se Rusia mund të pushtojë Ukrainën fqinje.

Dy diplomatët pritet të takohen shkurtimisht në Hotel President Wilson, ku do të shqyrtojnë nëse diplomacia mund ta zgjidhë ende krizën.

“Këto janë çështje të ndryshme me të cilat po përballemi dhe zgjidhja e tyre nuk do të bëhet shpejt. Unë nuk pres që t’i zgjidhim ato në Gjenevë,” tha Blinken përpara bisedimeve me Lavrovin.

Lexo më shumë  Pse Kina lëshoi një raketë balistike ndërkontinentale?

“Por ne mund të avancojmë mirëkuptimin tonë të ndërsjellë”, vazhdoi kryediplomati amerikan, ndërkohë që tha se nëse Rusia de-përshkallëzon aktivitetin e saj në rajon, “kjo gjë mund të na largonte nga kjo krizë në javët në vijim”.

Kremlini, nga ana tjetër, ka kritikuar komentet e fundit nga presidenti amerikan Joe Biden, i cili së fundmi tha se Rusia do të ishte dëshmitare e një “katastrofe” nëse do të sulmonte Ukrainën.

Rusia ka dërguar 100,000 trupa në kufirin ukrainas, duke alarmuar Perëndimin.

Ukraina akuzoi Rusinë për rritjen e mbështetjes për separatistët në rajonet separatiste lindore të vendit të premten, gjë të cilën Rusia e mohon, ashtu siç nuk pranon akuzat se po përgatit pushtimin e Ukrainës.

Këtë javë Blinken ka qenë në Evropë për bisedime me aleatët perëndimorë në Berlin, si përpjekje për të koordinuar një përgjigje të përbashkët nëse Moska ecën përpara me një pushtim të Ukrainës.

©Rruga Press

YouTube player