Kriza kosovare: Në kërkim të ekuilibrit midis dinjitetit kombëtar dhe orientimit pragmatik evropian
Shkruan Sadri RAMABAJA
Kosova ndërkohë ndodhet mes dy cikleve politike – atij të balotazhit për zgjedhjet lokale të 9 nëntorit dhe zgjedhjeve të parakohshme që pritet të mbahen gjatë dhjetoirit 2025. Rezultatet e zgjedhjeve lokale po dëshmojnë për maturim politik veçmas të elektoratit në qendrat më të mëdha urbane, ku shpërfaqet interesi në rritje për çështjet sociale dhe ekonomike, duke reflektuar një angazhim më gjithëpërfshirës qytetar në procesin politik.
Në këtë kontekst, çdo vendim i Qeverisë ka peshë të dyfishtë: si instrument ekonomik dhe si sinjal politik.
Kështu, vendimet e marra sot nga Qeveria Kurti — rritja e pagës minimale dhe paketa e re sociale për qytetarët në nevojë — nuk janë thjesht masa ekonomike, por pjesë e strategjisë së qeverisë për të konsoliduar legjitimitetin popullor para zgjedhjeve vendimtare.
Që nga ardhja në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje e ka ndërtuar identitetin e saj politik mbi tri shtylla:
- Sovraniteti politik (pavarësia e vendimmarrjes nga ndikimet e jashtme),
- Drejtësia sociale, dhe
- Lufta kundër korrupsionit.
Vendimi për rritjen e pagës minimale, përforcon pikërisht shtyllën e dytë.
Në aspekt elektoral, kjo masë prek drejtpërdrejt rreth 120–150 mijë qytetarë, kryesisht punëtorë në sektorin privat dhe publik me paga të ulëta — pra, segmenti më aktiv në trupin elektoral të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në anën tjetër, masa është politikisht e arsyeshme dhe e mençur sepse:
- krijon ndjesinë e kujdesit qeveritar ndaj shtresave të ulëta;
- nxit konsum të brendshëm, pra një lloj “ekonomie morale”;
- dhe parandalon manipulimin elektoral të opozitës, e cila tradicionalisht ka akuzuar qeverinë për “mungesë politike sociale”.
- Ndërkaq paketa sociale: nga ndihma ekonomike tek ndjenja e sigurisë shtetërore
e miratuar më 31 tetor 2025 në mbledhjen e Qeverisë përfshin:
- shtesa për pensionistët me të ardhura të ulëta,
- subvencione për energjinë për familjet vulnerabël,
- dhe mbështetje për punëtorët sezonalë e për nënat vetushqyese.
Në diskursin politik, kjo përkthehet në politikë të kujdesit publik. Në gjuhën e strategjisë elektorale, paketa të tilla janë “masa të ndjeshme” (sensitive measures), të cilat krijojnë ndjesi mirënjohjeje dhe kujtese pozitive në prag të votës.
Në këtë pikë, VV-ja fiton terren përballë partive tradicionale si LDK dhe PDK, të cilat ende shfaqen si forca të lidhura me oligarkinë dhe klientelizmin, ndërsa Kurti paraqitet si përfaqësues i “politikës së drejtësisë”.
Efekti në zgjedhjet lokale dhe përgatitja për ato parlamentare do të jetë i ndjeshëm.
a) Në zgjedhjet lokale (balotazhi i 9 nëntorit)
- Rritja e pagës minimale dhe paketa sociale nxisin pjesëmarrjen e elektoratit të ulët ekonomikisht, që shpesh është më pasiv në zgjedhje lokale.
- Në komunat e veriut dhe Mitrovicës, ku çështjet e sigurisë dhe punësimit janë të ndjeshme, këto masa përkthehen në riformatim të ndjenjës së besimit tek qeveria qendrore.
- Në zonat tradicionale të LDK-së dhe PDK-së (Ferizaj, Pejë, Skenderaj), efekti do të jetë më i kufizuar, por perceptimi i “përkujdesit shtetëror” do të ulë tensionin anti-qeveritar.
b) Në zgjedhjet parlamentare të dhjetorit
- Nëse zbatimi i masave është i shpejtë dhe transparent, Lëvizja Vetëvendosje do të hyjë në garë me avantazh moral dhe social.
- Partnerët ndërkombëtarë (sidomos BE dhe S&D) e shohin këtë si pjekuri të modelit qeverisës socialdemokrat — çka i jep Kurtit kredibilitet të ri ndërkombëtar.
- Megjithatë, ekziston rreziku që opozita ta interpretojë këtë si “instrument elektoral”, ndaj komunikimi publik duhet të jetë i pastër dhe faktik.
Në prag të zgjedhjeve të dhjetorit 2025, faktori ekonomik do të jetë përcaktues në orientimin e votës. Prandaj, nëse qeveria arrin t’i transformojë masat e sotme nga “premtime buxhetore” në përvoja reale të qytetarëve, atëherë efekti elektoral i tyre do të jetë vendimtar — jo vetëm për fitoren e VV-së, por për legjitimimin e modelit të saj të qeverisjes si një formë e demokracisë sociale në veprim.
Pavarësisht kritikave nga opozita, Albin Kurti e ka pozicionuar veten si një udhëheqës i një brezi të ri, i aftë të gjejë një ekuilibër midis dinjitetit kombëtar dhe një orientimi pragmatik evropian. Sondazhet e opinionit konfirmojnë mbështetjen e tij të qëndrueshme, me rreth 50% të votuesve që mbështesin Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), duke përforcuar më tej pozicionin e tij në skenën politike të Kosovës. [IFIMES]
Rruga Press

