Kriza energjetike/ Putin: Hungaria blen pesë herë më lirë gaz nga Rusia se pjesa tjetër e Evropës
“Kontratat afatgjata i lejojnë Budapestit të blejë gazin rus pesë herë më lirë se çmimi aktual i tregut në Evropë,” tha Presidenti rus Vladimir Putin gjatë një takimi me kryeministrin hungarez, Viktor Orban në Kremlin.
Qeveria hungareze thotë se ka bërë shumë për të zhvilluar marrëdhëniet të mira mes dy vendeve.
Presidenti rus e siguroi kryeministrin hungarez se marrëveshjet e nënshkruara vitin e kaluar nga Hungaria me Gazprom, i lejojnë Hungarisë të ketë furnizime të qëndrueshme me gaz deri në vitin 2036.
Presidenti rus vlerësoi bashkëpunimin në sektorin e energjisë, duke thënë se “sektori i energjisë në përgjithësi ka një vend të madh në bashkëpunimin” e të dy vendeve, duke vënë në dukje bashkëpunimin në lidhje me termocentralin bërthamor Paks.
Ndër të tjera ai vuri në dukje bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e inxhinierisë mekanike, si dhe marrëveshjen mes dy vendeve për prodhimin e vagonëve hekurudhor për Egjiptin.
Duke iu referuar bashkëpunimit për pandeminë, Putin tha se Rusia ka dorëzuar 2 milionë doza të vaksinës Sputnik – V në Hungari dhe se aktualisht po diskutohet çështja e transferimit të teknologjisë për prodhimin e vaksinave në Hungari.
Nga ana e tij, kryeministri hungarez tha se Hungaria dëshiron të rrisë importet e gazit nga Rusia në bazë të një marrëveshjeje afatgjatë dypalëshe.
Rruga Press