Bota

Kriza e infermierëve amerikanë dhe largimi i tyre nga spitalet

Kur po bëhen dy vite që nga shpërthimi i pandemisë COVID-19, infermierët në Shtetet e Bashkuara ndodhen në krizë. Si pasojë e mbingarkesës që përjetojnë gjatë kujdesit të ofruar për pacientët e sëmurë me COVID-19, një numër i madh infermierësh kanë vendour të lënë punën. Materiali në vazhdim sjell historinë e një infermiereje, e cila shqetësimin e saj e ngriti tek Presidenti Biden.

Gjatë vizitës së tij në Skrenton të Pensilvanisë, Presidenti Joe Biden u takua me infermieren Jen Partyka, e cila pas bisedës me udhëheqësin amerikan i dorëzoi atij një letër.

“Ndjeva se është me rëndësi që ai të kuptojë se infermierët nuk janë në rregull”, thotë zonja Partyka e cila punon si infermiere për 30 vite.

Nga fillimi i pandemisë, infermierët punojnë pa pushim dhe me ngarkesë të madhe. Zonja Partyka humbi një kolege si pasojë e vetëvrasjes, ndërsa është dëshmitare e mbingarkesës.

“Mbetëm lidhur. Ne luftuam këtë betejë, por nuk e prisnim që të zgjaste kaq shumë”, thotë ajo.

Kjo çoi në mungesë të infermierëve.

“Vitin që shkoi 50 për qind e punonjësve u larguan nga puna”, thotë zonja Partyka.

Sipas rekomandimeve zyrtare, në një qendër të kujdesit intensiv një infermier mund të kujdeset për 2 pacientë, por mungesa e infermierëve po e çon këtë raport në 1 me 3.

Lexo më shumë  Merkeli shpreh shqetësim të madh për rolin e Muskut në administratën Trump

“Mënyra e vetme për t’u trajtuar në një Qendër të Kudjesit Intensiv është nëse jeni shumë i sëmurë, sepse përndryshe nuk ka shtretër. Trefishimi i pacientëve është tejet i rrezikshëm”, shton zonja Partyka.

Kjo situatë shkaktoi mbingarkesë në dhomat e urgjencave në spitale.

“Po qaja pa kontroll dhe nuk ndalesha dot. Vajtoja me gjithë qenien time”, thotë infermierja Gi, e cila kërkoi që të publikojmë vetëm emrin e saj. Ajo përjetoi një sulm paniku, si pasojë e së cilit humbi përkohësisht aftësinë për të folur dhe vepruar.

“Papritur, nuk arrija të mbushja një formular. Truri im humbi lidhjen me trupin”, thotë ajo.

Infermierja u kthye në pacente. Tani ajo merret me qepjen e kapeleve për punonjësit shëndetësorë, si pjesë e trajtimit të saj pasi kaloi një javë në një spital psikiatrik për çrregullime traumatike nga stresi i përjetuar. Ajo thotë se nuk ishte infermierja e vetme që u trajtua atje.

Sikur COVID të mos mjaftojë, infermierët në Filadelifa dhe disa qytete tjera amerikane përballen edhe me një numër të madh pacientësh të një kategorie tjetër. Shkalla e krimeve të dhunshme në vend është në rritje.

Zëri i Amerikës kaloi disa orë rrugëve me policinë në Filadelfia. Kjo është një vrasje e dyfishtë. Në vend që të presin për ambulancën, policia vazhdimisht shfrytëzon makinat e saj për transportimin e viktimave. Në disa javë numri i vrasjeve barazohet me vdekjet nga COVID-19.

Lexo më shumë  Pistorius e hodhi poshtë kandidaturën – Scholz do të rikandidojë për kancelar të Gjermanisë

“Çdo ditë përballemi me numër të madh pacientësh si të ishim në fushë-betejë”, thotë infermierja Alex Kaspin, e cila punon në një spital të Filadelfias.

Pasi filloi të përjetojë çrregullime paniku, ajo u transferua nga dhoma e urgjencës në atë të pediatrisë, gjë që ajo thotë se i shpëtoi jetën.

“Erdhi një moment kur ndihesha sikur nuk isha pranë familjes sime. Po jepja gjithçka për pacientët e mi, por nuk më kishte ngelur gjë tjetër”, thotë ajo.

Ndikimi i punës në mirëqenien e infermierëve, sipas ekspertëve quhet “lodhje nga dhembshuria”. Sistemi amerikan i kujdesit shëndetësor po lufton për gati dy vite në një betejë që nuk po i shihet fundi, ndërsa infermierët zgjedhin të largohen nga shtretërit e spitaleve dhe dhomat e urgjencës për punë më pak stresuese. Shumë prej tyre, me vete bartin edhe ndjenjën e fajit.

“Në një mënyrë a një tjetër, nuk do të isha në gjendje ta vazhdoja këtë punë edhe pse e doja punën e infermieres në dhomën e urgjencës. Mendoj se isha e lindur për atë punë”, thotë infermierja Kaspin.

RrugaPress

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *