Kriza e euros, monedha e “bllokut” vijon pikiatën ndaj lekut e dollarit
Euro ka zbritur këtë javë në nivelet rekord të 117,2 lekëve, ndërkohë që dollari ruan pozita të forta, pavarësisht oshilacioneve ditore. Brenda pak ditësh, monedha europiane është dobësuar me 0,4 lekë, duke vijuar trendin e javëve të kaluara.
Një situatë e shkaktuar nga faktorë të jashtëm dhe të brendshëm. Në bursat ndërkombëtare, për herë parë pas 20 vitesh, euro u barazua këtë javë me dollarin. Madje, të enjten ra edhe poshtë kursit 1 me 1, situatë që nuk kishte ndodhur kurrë që prej dhjetorit të vitit 2002, kur ajo u hodh për herë të parë në treg si monedhë sovrane.
Rënia dramatike e euros po ndodh për shkak të frikës nga një recesion i gjatë dhe i thellë ekonomik për Europën gjatë muajve në vijim, për shkak të ndërprerjes së furnizimit me gaz nga Rusia.
Paralelisht, edhe rezervat federale amerikane kanë forcuar dollarin, në përpjekje për të frenuar rritjen e inflacionit, që ka arritur në 8,8%, niveli më i lartë në 40 vite.
Javën e ardhshme, pritet që Banka Qendrore Europiane të rrisë normat e interesit, megjithëse reagimi nuk do të jetë i fortë, nga frika se mos rritja ekonomike kthehet në drejtim të kundërt. Krahas faktorëve të jashtëm, në dobësimin e euros në vendin tonë po ndikojnë edhe flukset e shtuara valutore nga turistët e huaj dhe emigrantët që kthehen në atdhe për pushime. Një situatë që përsëritet çdo vit në këtë periudhë.
Për herë të parë pas 20 vitesh, Euro poshtë Dollarit
Euro ka rënë nën dollarin për herë të parë në 20 vjet pasi lufta në Ukrainë e shtyu poshtë monedhën evropiane, shkruan BBC.
Një euro u ble me 0.998 dollarë në tregun valutor në orën 12:45 GMT, me një rënie prej 0.4 % në tregtimin e ditës.
Frika se Rusia mund të kufizojë furnizimet e Evropës me energji kanë rritur shanset për recesion në zonën e euros.
Banka Qendrore Evropiane ka mbetur prapa bankave të tjera qendrore në rritjen e normave, duke dobësuar më tej euron.
Monedhat priren të rriten kur banka qendrore përkatëse rrit normat e interesit.
Dollari ka pësuar rritje muajt e fundi, i nxitur nga rritja e normave të interesit nga Banka Qendrore amerikane.
Një monedhë në dobësim do t’i bëjë importet më të shtrenjta për vendet e eurozonës, veçanërisht mallrat me çmime në dollarë si nafta e papërpunuar.
Kjo mund të kontribuojë në një inflacion edhe më të lartë në eurozonë, i cili tashmë po shkon në 8.6% për qershorin.
Euro ka rënë pothuajse 12% kundrejt dollarit që nga fillimi i vitit.
Rruga Press