Krisma nuk pati
Shkruan Lutfi Dervishi
Sipas Policisë së Shtetit, gjithçka ishte në rregull. Rendi publik nuk u cënua. Njerëzit që u panë live në çdo ekran televiziv ishin holograme.
Ndërsa ata që qëndruan gjatë 14 orëve përballë godinës ishin thjesht dashamirës të arkitekturës moderne të godinës së SPAK/GJKKO, në një formë të re të turizmit institucional.
Policia, në përgjigjen e saj ndaj njoftimit të gjykatës/prokurorisë, e uli gjithçka në nivel teknik, një mënyrë elegante për të thënë: “Në rregull, diçka ndodhi, por në letër s’ka ndodhur asgjë.”
E ulën stekën te komisariati nr. 3, por janë ca detaje që e nxjerrin lakuriq:
Tubimi i simpatizantëve nuk u bë në anën “publike” të godinës, por në atë zyrtare!
Nëse ndodhesh para derës për publikun të një institucioni, është protestë (rasti PD, PL), por nëse je para derës zyrtare të një institucioni kushtetues, atëherë është vizitë protokollare!
Por hajde ta marrim seriozisht këtë logjikë. Nëse nuk ka pasur cënim të rendit publik, atëherë përse gjithë ky zinxhir policie? Përse gjithë ky alarm? Pse ekrane gjigante në sallat operative të Policisë që shfaqnin live “situatën që po eskalohej”? Apo ndoshta po ndiqnin një serial turk?
Në fakt, policia e ka një rekord të qartë: një ditë më parë njoftoi se po heton në gjendje të lirë të gjithë protestuesit (8 qytetarë) për prishje të qetësisë publike, sepse festonin para burgut 302. Mesa duket, tetë persona bëjnë më shumë zhurmë sesa një turmë që qëndron 14 orë përballë një institucioni.
Do të ishte interesante të dinim se cili është kriteri profesional dhe ligjor që ndan një festë të dënueshme nga një protestë e padukshme dhe si i dallon policia protestuesit nga simpatizantët. Ndoshta kanë një algoritëm sekret.
Si përfundim: protesta nuk ndodhi. Dhe nëse e keni parë se ndodhi, mos i besoni syve tuaj, por lexoni njoftimin e policisë. Përndryshe, rrezikoni të procedoheni për keqinterpretim të realitetit.
P.S. Po sikur SPAK të bëjë atë që nuk e ka bërë deri më sot: të nisë një hetim kryesisht ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe ministrit të Brendshëm (që ka në varësi edhe Gardën) dhe t’u kërkojë të dyve telefonin? Pardon. Vetëm njërit, sepse tjetrit ia kanë marrë celularin para 6 muajsh!
![](https://rrugapress.al/wp-content/uploads/2025/02/img_2453-1-1024x281.jpg)
![](https://rrugapress.al/wp-content/uploads/2025/02/img_2454-1-1024x310.jpg)
![](https://rrugapress.al/wp-content/uploads/2025/02/img_2455-1-1024x356.jpg)
![](https://rrugapress.al/wp-content/uploads/2025/02/img_2456-1-1024x356.jpg)
![](https://rrugapress.al/wp-content/uploads/2025/02/img_2457-1-1024x379.jpg)
![](https://rrugapress.al/wp-content/uploads/2025/02/img_2458-1-1024x309.jpg)
Rruga Press