Lajme

“Krimi strategjik” me “Durrës Yacht & Marina”

Të dhurosh pronën publike, ta mbështesësh me infrastrukturë dhe të falësh paratë e taksapaguesve për një projekt të pasurive të paluajtshme, si ato që kanë ndodhur rëndom në vend gjatë 30 viteve të fundit, ku investitori mbledh paratë përpara shitjes së apartamenteve, është një krim që bëhet ndaj të gjithë qytetarëve të vendit…

Interesi i shtuar për Shqipërinë si një destinacion turistik nxiti investime të shumta në sektorin e hotelerisë në vend, sidomos në bregdetin e Durrësit.

Brenda pak vitesh, një zonë e zhvlerësuar, për shkak të ndërtimeve pa kriter pas viteve ’90 (duke nxitur madje dhe terma të tilla si “Golemizimi”) u shndërrua në një model të zhvillimit të turizmit në vend dhe ka tërhequr gati gjysmën e të huajve në vend, sipas statistikave të INSTAT, duke i dhënë vlerë të shtuar ekonomisë, duke nxitur punësimin dhe konsumin.

Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit të dhëna për hotele në vend u shumëfishua që nga 2017-a, duke arritur në nivelin rekord prej 419 mijë metra katrorë në 2019-n. Këto investime ishin nisma private të sipërmarrësve, pothuajse të gjithë vendas, të realizuara me kredi, parapagimet e marra nga agjencitë turistike dhe fitimet e realizuara më herët.

Qeveria, nga ana e saj, ishte shumë e ngadaltë të ndiqte ritmin e shpejtë të investimeve. Edhe sot, kur kanë kaluar më shumë se 5 vjet nga zhvillimi i vrullshëm i zonës, infrastruktura prej pak kilometrash nuk ka përfunduar ende, duke “zhvlerësuar” investimet e së gjithë zonës, e ndikuar negativisht në imazhin që turistët e huaj kanë për vendin.

Komentet e tyre në rrjete shpesh e vënë theksin në kontrastin që ekziston mes investimeve private dhe infrastrukturës së rënduar deri në detaje të tilla, si menaxhimi i mbeturinave.

Në të kundërt, shteti nuk ishte kaq i ngadaltë dhe i pavëmendshëm për investimin në zonën e Portit të Durrësit. Projekti “Durrës Yacht & Marina”, ku shteti është aksioner me 33%, e mori me shpejtësi statusin e investitorit strategjik.

Lexo më shumë  Murati publikon grafikun për kontratat 'njëburimore' ndër vite: Numri i kontratave njëburimore në mandatin tonë është përgjysmuar

Krahas këtij statusi, nëpërmjet të cilit kompania investitore përfiton lehtësi të shumta, teksa qeveria i ka dhënë të drejtën të përdorë tokën shtetërore prej 80 hektarësh, shteti, sipas përcaktimeve në ligj, mund ta mbështesë me infrastrukturën ndihmëse, që shërben për përgatitjen, zbatimin e projektit dhe realizimin e investimit, të tilla si rrugë, ujësjellës, kanalizime, energji elektrike dhe telekomunikacion. Sikur të mos mjaftonin këto, investimi strategjik është përjashtuar dhe nga taksa të tjera.

Vetëm nga falja e taksës së infrastrukturës dhe e strehimit social (përkatësisht 4% dhe 3% e vlerës së shitjes), shteti ka vënë në dispozicion të investimit strategjik 150 milionë euro (7% e shumës së parashikuar që do të arkëtohet vetëm nga shitja e apartamenteve), të cilat do të mund të përdoreshin nga pushteti lokal për zhvillimin e qytetit. Ndërsa vetëm trualli i projektit ka një vlerë, me çmimet e sotme të tregut prej rreth 400 milionë eurosh.

Për hir të një investimi strategjik, me një vlerë të deklaruar prej mbi 2 miliardë eurosh, të gjitha këto do të ishin të pranueshme, teksa përfitimet që ai do të sillte në ekonomi, turizëm dhe punësim, do ta tejkalonin disa herë vlerën e aseteve publike të dhuruara dhe të parave të taksapaguesve të falura.

Nuk do të kishim asnjë paragjykim, nëse ky do të ishte një projekt si gjithë të tjerët, pasi çdo investim, që sjell kapital, eksperiencë, përmirëson imazhin e vendit, sjell punësim, nxit turizmin, padyshim që është i mirë për ekonominë. Edhe ndryshimi strategjik i qytetit të Durrësit nga destinacion portual në turistik është për t’u vlerësuar, duke tërhequr të huajt (nëse do të arrijnë të shfrytëzojnë avantazhin e pasaportës). Edhe Porti ishte në plan të zhvendosej gjithsesi, për shkak të hapësirave të kufizuara të zhvillimit aty ku është, siç ka ndodhur dhe në qytete të tjera të mëdha të Europës, ku porti është zhvendosur nga qyteti.

Lexo më shumë  Kearns-Vuçiqit: Mohimi, vazhdimësi e krimeve – çka nisi me vrasje po vazhdon me falsifikim të historisë

Por, sa më shumë bëhen publike detaje nga projekti, aq më tepër është e qartë se ky vetëm një investim strategjik nuk është. Nga sipërfaqja e ndërtimit, rreth 93% do të jetë sipërfaqe rezidenciale, ndërsa do të ketë pak hotele me rreth 850 dhoma (sa vetëm një apo dy hotele në zonën e bregdetit të Durrësit, që ka gjithsej rreth 17 mijë shtretër, sipas të dhënave nga Tatimet). Investimi fillestar i kërkuar është vetëm 180 milionë euro dhe marrëveshja mundëson shumë lehtësi në skemat e financimit.

Në një kontratë, e cila si pikë të fortë ka garancinë që ka marrë nga shteti, për hir të marrëdhënies strategjike, blerësve u kërkohet të parapaguajnë me shpejtësi brenda 5 ditëve 20% të vlerës, ndërsa dhe 20% të tjera përpara se të fillojë ndërtimi. Një “investitor strategjik”, që në fakt ka dalë në treg të lirë të mbledhë para!

Të dhurosh pronën publike, ta mbështesësh me infrastrukturë dhe të falësh paratë e taksapaguesve për një projekt të pasurive të paluajtshme, si ato që kanë ndodhur rëndom në vend gjatë 30 viteve të fundit, ku investitori mbledh paratë përpara shitjes së apartamenteve, është një krim që bëhet ndaj të gjithë qytetarëve të vendit. Mbi të gjitha është diskriminim kundrejt të gjithë atyre sipërmarrësve të tjerë (kryesisht vendas) që sot po përpiqen, me të gjitha mënyrat dhe pa asnjë ndihmë nga shteti, të mbijetojnë ndaj pasojave të pandemisë dhe kostove të rritura të operimit të aktivitetit./Monitor

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *