Krime në Ukrainë, Gjykata Ndërkombëtare nis mbledhjen e provave
Llogaridhënie dhe drejtësi për mizoritë e kryera në Ukrainë. Ky është qëllimi i Kombeve të Bashkuara dhe avokatëve të të drejtave të njeriut, pasi shtohen dëshmitë e shkeljeve të ligjit humanitar.
Pas një takimi jozyrtar të Këshillit të Sigurimit, prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale Karim Khan tha se e drejta ndërkombëtare nuk mund të jetë një “spektator pasiv” i luftës në Ukrainë.
“E vërteta nuk ka nevojë të jetë një fantazmë që nuk mund të kapet. Ajo kapet duke përveshur mëngët, duke punuar, duke hetuar sipas metodës së vjetër, duke përdorur teknologji moderne dhe duke i kombinuar të gjejmë të vërtetën. Në fund të fundit, mbrojtja e madhe e drejtësisë ndërkombëtare nuk i takon një dëshmitari të caktuar. Nuk varet nga një autoritet i veçantë kombëtar. Nuk varet nga unë. Ka gjyqtarë mbi ne, gjyqtarë të pavarur që do të vlerësojnë dhe peshojnë provat dhe në fund do të marrin vendime”, u shpreh Khan.
Sipas OKB-së, më shumë se 2700 civilë kanë humbur jetën për shkak të luftës në Ukrainë.
Zyra e saj humanitare po koordinon me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq evakuimet nga fabrika e rrethuar e çelikut në qytetin e Mariupolit, largimet e civilëve pritet të përfundojnë të premten.
Ky ishte një nga qëllimet kryesore të kreut të OKB-së António Guterres gjatë vizitës së tij në Rusi. Sot ai viziton Kievin, ku takohet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Rruga Press