Bota

“Krim dhe terror”: Sulmi më i madh rus ndez zemërimin e liderëve evropianë

Rusia lëshoi një numër rekord dronësh dhe raketash mbi Ukrainë të shtunën në mbrëmje, në sulmin më të madh ajror gjatë natës që nga nisja e pushtimit të plotë në shkurt 2022.

Forcat ajrore të Ukrainës raportuan se u lëshuan 810 dronë dhe 13 raketa, mes tyre katër raketa balistike Iskander-M dhe nëntë raketa lundrimi Iskander-K.

Sulmi shkaktoi zjarr në një ndërtesë kyçe qeveritare në kryeqytet, ndërsa qielli mbi Kiev u mbulua nga tymi.

Të paktën katër persona u vranë, përfshirë një nënë dhe një foshnje tre muajshe, ndërsa më shumë se 40 të tjerë u plagosën, sipas autoriteteve.

Lexo më shumë  Ukrainasit sulmojnë një port dhe një rafineri ruse

“Vrasje të tilla tani, kur diplomacia e vërtetë ka mundur të fillonte që prej kohësh, janë krim i qëllimshëm dhe zgjatje e luftës,” deklaroi presidenti Volodymyr Zelenskyy, duke i bërë thirrje SHBA-së të vendosë menjëherë sanksione ndaj Rusisë.

Reagimet ndërkombëtare:

Aleatët europianë të Ukrainës e dënuan menjëherë sulmin. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, akuzoi Rusinë për “tallje me diplomacinë, shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe vrasje pa dallim.”

Kryeministri britanik Sir Keir Starmer tha se sulmi i fundit tregon se Vladimir Putin “nuk është serioz për paqen”, duke e cilësuar atë si një akt “brutal” dhe “të poshtër” që dëshmon se lideri rus ndjen se mund të “veprojë me pandëshkueshmëri.”

Lexo më shumë  Gjermania vendos në funksion mburojën kundër raketave balistike

Në Francë, presidenti Emmanuel Macron deklaroi se Rusia “po futet gjithnjë e më thellë në logjikën e luftës dhe terrorit,” ndërsa kryeministri polak Donald Tusk u bëri thirrje SHBA-së dhe Europës të “detyrojnë Rusinë të pranojë një armëpushim të menjëhershëm.”

Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, tha se Moska po tregon një “model të qartë të përshkallëzimit,” ndërsa presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, shtoi: “Rusia e nisi këtë luftë, dhe Rusia po zgjedh ta vazhdojë atë.”

Rruga Press

YouTube player