Kreu i NATO-s në Gjermani adreson Rusinë dhe emigrantët: Jemi në krah të aleatëve
Nga Gjermania siguroi aleatët për mbështetje, veçanërisht për krizën me emigrantët. Sekretari I Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg takoi në Berlin kancelaren në largim, Angela Merkel, duke shprehur shqetësim të madh për situatën e krijuar në kufirin e Polonisë, Lituanisë dhe Letonisë me Bjellorusinë. Nuk munguan dhe akuzat ndaj regjimit të Minskut.
“Regjimi i Lukashenkos përdor njerëzit e pambrojtur si metodë për të vënë nën presion vendet e tjera, kjo është cinike dhe çnjerëzore. NATO mbështet me solidaritet të plotë të gjithë aleatët e prekur. Qëndrojmë vigjilent dhe në gatishmëri për të ndihmuar aleatët tanë”, tha Stoltenberg.
Adresoi dhe shqetësimin për një konflikt të mundshëm mes Ukrainës dhe Rusisë.
“Po shohim një përqëndrim të pazakontë të forcave ruse pranë kufirit të Ukrainës. Rusia të bëjëtransparencë urgjentisht për grumbullimin e ushtrisë dhe të ulë tensionet”.
Më tej kreu i Aleancës së Atlantikut të Veriut bëri me dije se situata po monitorohet me kujdes dhe ofroi mbështetje politike dhe praktike për Ukrainën. Nga ana tjetër kancelarja Merkel kërkoi nga NATO që të dialogojë me Rusinë dhe kërkoi tejkalimin e mosmarrëveshjeve mes palëve.
Rruga Press