Kremtohet sot Dita e Verës, historia e festës të lashtë pagane
Kjo e premte 14 marsi shënon një ditë festive të veçantë në Shqipëri, e cila nuk festohet në asnjë vend tjetër të botës, Dita e Verës. E njohur ndryshe si dita e largimit të dimrit, kjo festë ka krijuar tashmë traditën e saj në shumë qytete të Shqipërisë, me Elbasanin që kthehet në “kryeqytet” të Shqipërisë.
Kjo festë është një festë pagane mijëra vjeçare, e cila ka për synim t’i falet natyrës, ardhjes së stinëve të ngrohta, rigjallërimit të jetës në tokë. Duke qenë se në antikitet viti niste me muajin mars (duke ju referuar kalendarit Julian), atëhere sapo hynte marsi festohej ardhja e pranverës. Kësisoj, brez pas brezi shqiptarët kanë përcjellë festën, duke e sjellë atë deri në ditët e sotme.
Për elbasanasit zanafilla e “Ditës së Verës” e ka në faltoren Zana e Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e qytetit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e te gjithë natyrës. Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e saj ditën e 14 marsit.
Sot askush nuk mund ta kuptojë Festën e Ditës së Verës, një festë tradicionale pagane, e cila kremtohet çdo 14 mars, pa shijimin e ballokumes, një gatim i veçantë i Elbasanit. Për këtë ditë te veçantë çdo familje ka recetën e saj të ruajtur ndër vite.
Masat e marra nga policia sot:
Policia e shtetit ka njoftuar planin e masave për Ditën e Verës në Tiranë dhe në Elbasan. Sipas policisë, në sheshe dhe rrugët ku do të zhvillohen aktivitetet do të ketë efektivë. Në akset rrugore kryesore në qendrat e qyteteve, do të ketë kufizime të lëvizjes së automjeteve.
Në Elbasan, duke filluar nga pasditja e djeshme dhe sot, nuk do të lejohet parkimi i automjeteve dhe qarkullimi i tyre në disa segmente rrugore në qendër të qytetit. Në Tiranë, gjatë ditës së sotme, deri në përfundim të aktiviteteve, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në rrugët “Papa Gjon Pali II” dhe “Ibrahim Rugova”.
Rruga Press