Kremlini po përpiqet të “frikësojë” sërish Perëndimin përmes grupit Wagner në Ballkan
Në përputhje me ndryshimet e fundit në strategjinë propagandistike të Kremlinit, sipas së cilës “Rusia është në luftë kolektive kundër Perëndimit”, grupi i tij “pararojë” mercenar Wagner, i njohur në botë për mizoritë e tij, po i përqendron përpjekjet në Serbi.
Së fundmi, në disa media serbe është shtjelluar sërish prania e mundshme e mercenarëve të grupit Wagner në Serbi. Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet gjatë turneut të tij në disa vende të Ballkanit javën e kaluar shprehu shqetësimet se Grupi Wagner po përpiqet të rekrutojë ushtarë nga Serbia.
Më 16 janar, presidenti serb Aleksandar Vuçiq kërkoi ndalimin e rekrutimit të qytetarëve të Serbisë nga grupi Wagner për të marrë pjesë në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, siç njoftoi agjencia e lajmeve Reuters, duke iu referuar një interviste të tij për kanalin televiziv serb “Happy”.
“Pse po u bëni thirrje qytetarëve në Serbi që t’i bashkohen grupit tuaj Wagner kur ju e dini që kjo është kundër ligjeve tona?”, tha presidenti Vuçiç.
“Sa njerëz kemi humbur në të gjitha llojet e luftërave? Le të shpëtojmë vendin tonë dhe popullin tonë. Jam krenar që jemi një vend i lirë”, shtoi ai.
Serbia e ndalon pjesëmarrjen e qytetarëve të saj në luftërat e huaja bazuar në një ligj në Kodin e saj Penal, i cili u ndryshua për këtë qëllim në vitin 2014. Në ligj u shtuan dy vepra të reja penale, pjesëmarrja në luftë në një vend të huaj dhe organizimi i pjesëmarrjes në luftë në një vend të huaj.
PËRPJEKJA PËR “ZBARKIMIN E GRUPIT WAGNER” NË BALLKAN REZULTOI E PASUKSESSHME
Deklaratës së zotit Vuçiç i paraprinë një sërë hapash nga Kremlini.
Pak para se zoti Vuçiç të fliste, kanali propagandistik i kontrolluar nga Kremlini, “RT” hapi një faqe interneti për transmetimin e lajmeve në gjuhën serbe, të quajtur “RT Balkan”.
Kryeredaktorja e “RT Balkan”, Elena Milinchich njoftoi se projekti i ri “do të mbulojë ngjarjet më të rëndësishme rajonale dhe botërore nga një këndvështrim alternativ”, raportoi Mediasat.info.
Më vonë, informacione për praninë e mundshme të mercenarëve rusë në veri të Kosovës, u publikuan nga një pjesë e mediave në Serbi dhe rajon, në të cilat thuhej se afër barrikadave janë parë persona të maskuar me shenja të grupit mercenar ushtarak rus.
Pretendime të ngjashme ka bërë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Por pavarësisht këtyre pretendimeve, nuk është konfirmuar zyrtarisht prania e mercenarëve rusë në veri të Kosovës.
“Është një gënjeshtër famëkeqe se pjesëtarët e grupit paramilitar rus Wagner kanë marrë pjesë në vendosjen e barrikadave në Kosovë”, tha presidenti i Serbisë për kanalin televiziv “Happy”, sipas një raporti të agjencisë së lajmeve “FoNet”.
Ruslan Trad, studiues i çështjeve të sigurisë në Këshillin e Atlantikut, thotë se në të vërtetë “Serbia nuk ka përfituar ndonjëherë nga një përshkallëzim ‘real’ i situatës në Bosnje dhe Kosovë. Beogradi përfiton nga ‘përshtypja se ka një përshkallëzim të situatës’. Kjo lojë e zotit Vuçiç kontribuon në zhvillimin e marrëdhënieve me Perëndimin, dhe aspak të atyre me Rusinë, e cila ka nevojë për një konflikt real në Ballkan, pasi i përshtatet politikës së saj, veçanërisht në sfondin e luftës në Ukrainë”.
Ndërkohë, “RT Balkan” publikoi hapur në faqen e saj një njoftim të grupit Wagner mbi rekrutimin e luftëtarëve për luftën në Ukrainë, ku thuhej se atyre do t’u ofroheshin kushte “shumë tërheqëse”.
“Grupi Wagner vepron jo vetëm si një formacion luftarak, por edhe një ‘markë e fushatave propagandistike për përhapjen e panikut’ për shkak të reputacionit të tij famëkeq. Meqenëse ky grup është ‘i pranishëm’ në Siri dhe Afrikë, emri i tij njihet në të gjithë botën, ndaj përdorimi i grupit Wagner për propagandë është i qartë sepse synon të shërbejë si një mënyrë frikësimi. Pamjet e fundit të ekzekutimit të një ish- mercenari të grupit Wagner dhe më pas dërgimi i një çekani të madh të përgjakshëm në BE sugjerojnë se këtij grupi i pëlqen vëmendja dhe fama që tërheq vëmendjen nga përpjekjet e frikësimit dhe ndikimit që ushtron mbi të tjerët”, thotë Roman Osadchuk, ekspert i çështjeve të sigurisë në Këshillin Atlantik.
Në përgjigje të kërkesës së shërbimit në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës, në kanalin e Telegramit “Prigozhin_Hat” u publikua një deklaratë në emër të Yevgeny Prohibit, themeluesit të “PMC Wagner”, ku thuhet se grupi “nuk ka qenë kurrë në Serbi dhe se nuk ka serbë në radhët e tij tani dhe nuk ka patur anëtarë serbë në radhët e tij për një kohë të gjatë”.
PROPAGANDË E RE, AKTORË TË NJËJTË
Sipas profesorit të gazetarisë dhe diplomacisë publike Philip Seib, për shkak të lodhjes së opinionit publike botëror mbi lajmet rreth veprimeve të ushtarakëve të Kremlinit, ra vëmendja ndaj retorikës agresive ruse. Për këtë arsye, Moska, gjatë muajve të fundit të vitit 2022 filloi të përdorte retorikën tradicionale sovjetike, atë të përplasjes mes perëndimit dhe Rusisë, duke u përpjekur që përmes përdorimit të propagandës mediatike të ngjallte frikë për një luftë të përgjithshme.
Roman Osadchuk bie dakord se nëse në fillim, Moska përdori një numër arsyesh të çuditshme për të shpjeguar fillimin e luftës, Kremlini ka vendosur tani se “ka ardhur koha” për “përmbajtje me ton ushtarak në shkallë të gjerë”.
Megjithatë, Ballkani është një rajon me tipare të veçanta. Historikisht, elitat kanë preferuar të marrin kohë, duke kuptuar se janë në mesin e një udhëkryqi interesash dhe ndikimi. Kështu që Serbia, duke u paraqitur si “vëllazërore” ndaj popullit rus, ka mbajtur përherë bashkëpunim si me Kinën edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ruslan Trad, studiues në Këshillin e Atlantikut vuri në pikëpyetje efektivitetin e fushatës propagandistike të Kremlinit në Ballkan dhe Europën Juglindore.
“Pyetja që shtrohet është, a ka përfitim real Rusia nga propaganda që po bën? Për shembull, nëse gjykojmë deklaratat pro-ruse në vende si Bullgaria, popullsia atje duhet të ishte në masë të madhe pro-popullsisë ruse, por sondazhet e vitit të fundit pas luftës në Ukrainë treguan se 50 përqind e popullsisë kishte qëndrim negativ ndaj politikave të Kremlinit”, tha ai.
RREZIKU AKTUAL
Ruslan Trad beson se për udhëheqësit serbë problemi kryesor duhet të jetë mjaft i qartë, mundësia që qytetarët që kanë qenë luftëtarë mercenarë të kthehen në Serbi.
“Ky personel ushtarak është tanimë pjesë e retorikës ideologjike që Kremlini ka përhapur në Serbi dhe në Ballkan. Për shembull, kur ata shkojnë në Donbas, ata nuk shkojnë vetëm për para, por përkundrazi, për shkak të pikëpamjeve të tyre ideologjike. Pasi kthehen, këta persona u bashkohen organizatave të vjetra që udhëhiqen nga një kulturë paraushtarake. Njerëz nga ky segment i shoqërisë shumë rrallë largohen nga qarqe të tilla dhe në shumë vende, si Serbia, ata monitorohen vazhdimisht”, nënvizon zoti Trad.
Kërcënimi është më i madh për shkak të pranisë së vazhdueshme të individëve të lidhur me grupin Wagner në Serbi. Roman Osadchuk tha se ata janë integruar thellë në sistemin mbrojtës të Rusisë dhe përdorin mjetet dhe pajisjet e Forcave të Armatosura ruse.
Zoti Trad është i bindur se Kremlini mund të përpiqet të nxisë krijimin e më shumë grupeve ekstremiste tek elita e Serbisë dhe vendeve fqinje, me qëllim ndikimin në përshkallëzimin politik.
Sipas faqes “Politico”, Wagner ka dërguar njërëz edhe në Beograd dhe ka njoftuar se ka nisur zyrtarisht veprimtarinë në Serbi në fillim të muajit dhjetor. Veprimtaria është përqëndruar në kundërshtimin e aktivitetit të diasporës ruse që refuzon politikat e zotit Putin.
Disa individë në Europë i cilësojnë ata si “PMC Wagner”, ushtria private e presidentit Putin.
Sipas një raportimi të gazetës Kommersant, opozita pro-evropiane në Rusi këmbëngul se veprimtaria e “PMC Wagner” është në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e Serbisë.
Për më tepër, Forumi i Sigurisë i Beogradit u bëri thirrje autoriteteve “të ndalojnë sa më shpejt aktivitetet e PMC-së në territorin e Serbisë, t’u heqin liçencat të gjitha mediave që japin informacion mbi aktivitetin e tyre dhe të nxjerrin para drejtësisë të gjithë personat që po i ndihmojë ata në Serbi. Nëse nuk ndodh kjo, sipas përfaqësuesve të forumit, autoritetet serbe do konsideroheshin përgjegjëse se “refuzuan integrimin evropian” dhe u pajtuan me “rolin e turpshëm të këtij segmenti rus në Evropë”.
Në një intervistë të fundit me Shërbimin Serb të Zërit të Amerikës, Leon Hartwell, një analist në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA) me qendër në Uashington, komentoi shqetësimet e zyrtarit të lartë amerikan, Chollet.
“Duke marrë parasysh agresionin rus kundër Ukrainës dhe rolin e grupi Wagner, pranisë keqdashëse ruse në pjesë të tjera të botës po i kushtohet shumë më tepër vëmendje. Uashingtoni ka qenë i shqetësuar për praninë e Wagnerit në Serbi prej një kohë të gjatë. Në dritën e një valë tjetër të mundshme të mobilizimeve ushtarake ruse – është e rëndësishme që kërcënime të tilla të adresohen dhe të zgjidhen. Mendoj se kjo është një nga mënyrat për t’i dërguar mesazhin edhe një herë Aleksander Vuçiçit se ai duhet të zgjedhë se nga cila anë do të rreshtohet “, thotë zoti Hartwell./VOA
Rruga Press