Lajme

Krasniqi i përgjigjet Escobarit: Gjithçka përtej udhëzimit administrativ është kërkesë e Beogradit

Ministri i Administratës së Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i ka quajtur kërkesa të Beogradit, thirrjet që kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës të dorëhiqen për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja. Një ditë më parë, emisari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar u shpreh se “dorëheqjet janë rruga më e shpejtë dhe më e lehtë” e se “peticioni si nismë s’është provuar ndonjëherë”.

Krasniqi në konferencën për media të mërkurën ka mbrojtur udhëzimin administrativ që ka përpiluar Qeveria. Udhëzimi i hap rrugë ndërprerjes së mandatit të kryetarëve të komunave, vetëm nëse pas peticionit për largimin e tyre deklarohen së paku 50 për qind e trupës votuese të asaj komune.

Lexo më shumë  Kurti në ceremoninë e NALT-it: FSK po rrit kapacitetet me mbështetjen e NATO-s

“Udhëzimi administrativ është proces demokratik dhe gjithçka tjetër nuk është kërkesë e qytetarëve atje, por janë kërkesa të Beogradit. Ato nuk janë kërkesa në të mirë të qytetarëve”, ka thënë ai.

Krasniqi ka përsëritur se pengimin e serbëve që të marrin pjesë në zgjedhje e ka bërë Beogradi.

“Largimi i tyre mund bëhet përmes formës që është shumë demokratike. Kush mund të garantojë që serbët do të marrin pjesë në zgjedhje nëse kryetarët japin dorëheqje? Për atë është e rëndësishme të kemi vullnet të qytetarëve për të marrë pjesë në zgjedhje”, ka thënë ministri.

Lexo më shumë  Dënohet biznesmeni Rezart Taçi me 11 vite burg

Ai ka deklaruar se udhëzimi është i bazuar në Ligjin për vetëqeverisje lokale.

Rruga Press

YouTube player