Lajme

Krasniqi: Hasan Shala u ka shërbyer atyre që i dhanë pushtet për t’i arritur majat në drejtësi

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Alban Krasniqi, ka thënë se ish-gjyqtari i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Hasan Shala, u ka shërbyer gjithmonë atyre që i kanë dhënë pushtet dhe privilegje dhe kësisoj arriti majat në sistemin e drejtësisë.

Krasniqi iu përgjigj Shalës i cili gjatë emisionit të djeshëm në “60 Minuta” të KTV-së deklaroi se anëtarët e LVV-së në KQZ më shumë mbajnë qëndrime politike sesa ligjore. Madje, ish-gjyqtari i PZAP-së u referua Krasniqit e Sami Kurteshit si “patriotë të LVV-së në KQZ të cilët s’mund ta përjashtojnë Listën Serbe”. Shala ka thënë se për përjashtimin e Listës Serbe së pari duhet të vendosin institucionet e drejtësisë, por jo KQZ-ja.

Lexo më shumë  Kurti: 26 vjet pa drejtësi për spastrimin etnik në veri të Mitrovicës

E në një shkrim në Facebook të enjten, Krasniqi i LVV-së i ka kujtuar Shalës aferën “Pronto”, ku dëgjohet ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, duke thënë se “jam qind për qind për Hasanin”.

“100% për Hasanin ishte deklaruar PRONTO pushteti që në 2011. Më pas Hasan Shala nuk njohu pengesa për ti arritur majat e suksesit në sistemin e drejtësisë. Natyrisht duke i shërbyer atyre që i dhanë pushtet e privilegje. Hasani është shembulli se si në republikën tonë mund tia hedhësh paq, pa therrë në këmbë edhe pse ndodhesh i zhytur në deri në fyt”, ka shkruar Krasniqi.

Sipas tij, duhet marrë me mend se çfarë drejtësie ka ndarë ky ish-gjyqtar i veshur nën petkun e pushtetit  të drejtësisë.

“Se, sa e sa herë e ka dëmtuar interesin publik, qytetarët e gjithashtu  Vetëvendosjen kudo ku ka pasur pozitë përfshirë PZAP-në!?”, ka shkruar tutje ai.

Krasniqi ka thënë se kopje të tilla mund të ndodhet sot edhe në Gjykatën Kushtetuese.

“E tash merreni me mend gjithashtu që kopja e tillë mund të ndodhet sot në Gjykatën Kushtetuese dhe ta ‘masakron’ rendin kushtetues e juridik, sepse të tillët u shërbejnë ende qarqeve politike që kanë humbur që në 2021, por që kanë lënë mbetjet e tyre në sistem dhe nuk e bëjnë hesap dëmin që i bëjnë republikës”, ka përfunduar shkrimin Krasniqi, duke aluduar në vendimin e fundit të Kushtetueses e cila i dha të drejtë Listës Serbe për ta propozuar nënkryetarin e Kuvendit.

YouTube player