Krasniqi: Diplomatët e huaj po legalizojnë Listën Serbe për interesa të ngushta
Mbledhja e sotme e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është shoqëruar me debate të ashpra pas vendimit për certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Alban Krasniqi, e quajti këtë vendim si “koordinim kriminal të organeve tona të drejtësisë” dhe akuzoi ambasadorët e vendeve perëndimore për ndërhyrje të drejtpërdrejtë në proces.
“Gjykata Supreme vetëm i ka delegjitimuar anëtarët e KQZ-së me vendimin se Lista Serbe duhet të certifikohet. Diplomatët e huaj po mundohen ta legalizojnë Listën Serbe për hesape të tyre të ngushta politike,” tha Krasniqi, duke shtuar se vendimi po shkakton “dëm të madh” procesit zgjedhor. Ai paralajmëroi se përgjegjësit do të japin llogari, duke shtuar: “I mbuloftë turpi”.
Në linjë të ngjashme, edhe anëtari tjetër i LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi, kritikoi Supremen duke theksuar se vendimi i saj ka “rrëshqitur shumë” dhe ka minuar kompetencat ligjore të KQZ-së.
Debati u tensionua kur Krasniqi akuzoi gjyqtarin Zenel Leku për lidhje të mundshme me Listën Serbe, duke thënë se ai ka pranuar shpjegime zyrtare për çështjen por nuk ka kthyer përgjigje “nga frika”.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ndërhyri duke i kërkuar Krasniqit që të fliste vetëm me fakte konkrete, por përplasjet mes palëve vazhduan, duke reflektuar krizën e besimit mbi vendimin për certifikimin e Listës Serbe.
“Kryetar, nëse ke guxim, i fol do fjalë të rënda, kur po flet me Listën Serbe po e ulë kryet dhe s’po bën zë, e mu çka po më pengon, zoti Zenel Leku, i cili ka pranu një e-mail me të gjitha shpjegimet e bëra. Nuk ka denju as me e kthy sepse ka frikë edhe me kthy përgjigje. “Kujt i shërbejnë këta njerëz?” – pyeti Krasniqi.
Rruga Press

