Kraki: Opozita po e refuzon rezultatin e zgjedhjeve
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Nezir Kraki, ka reaguar pas dështimit të 41-të radhazi për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Para mediave, ai ka deklaruar se po përsëritet dhe po konfirmohet një interpretim i gabuar i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Sjellja nuk ka ndryshuar, përkundër lëshimeve që ne kemi bërë nga ana jonë dhe gatishmërisë për kompromis. Kemi ofruar dy mundësi: ose të shkojmë në votim për komisionin dhe ta refuzojmë atë për të kaluar më pas në pako me znj. Haxhiu dhe nënkryetarët e Kuvendit, ose të votohet në mënyrë të fshehtë, siç e lejon Gjykata Kushtetuese”, tha Kraki.
Ai kritikoi partitë opozitare për qëndrime të pandryshuara dhe për, siç tha, keqinterpretim të qëllimshëm të aktgjykimit. “Nuk mund të ketë disa forma të interpretimit. Aktgjykimi është i qartë – mund të votosh për, kundër ose të abstenosh, por jo të mos marrësh pjesë fare në votim”, theksoi ai.
Kraki shtoi se është për keqardhje që, pavarësisht aktgjykimit dhe thirrjes së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për dialog me liderët e partive, pozicionet e opozitës nuk kanë ndryshuar. Sipas tij, kjo qasje po refuzon vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhje.
Rruga Press

