Krahasoni mbrojtjen e Hashim Thaçit në Gjykatën Speciale në Hag dhe të Albin Kurtit që nuk pranon as avokat, as gjykatën fashiste serbe
Nga Agim Vuniqi
Krahasoni mbrojtjen e Hashim Thaçit dhe të akuzuarëve të tjerë në Gjykatën Speciale në Hag (të cilën e formuan deputetët e Kuvendit të RK, pas votimit të dytë), të cilët shpesh edhe janë përlotur, jo vetëm mbrojtjen e tyre jo dinjitoze, por edhe ndikimin e drejtperdrejte në dëshmitarë përmes vizitorëve “postierë”, të cilët kanë qenë në detyra të rëndësishme shtetërore, dhe për mbrojtjen e të cilëve pa të drejtë paguhen miliona të taksa paguesëve të Kosovës, në njën anë dhe të Albin Kurtit që nuk pranon as avokat, as gjykatën fashiste serbe, por as shtetin fashist nën tjetër. Lexoni:
Gjykimi i ish-liderit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, tani kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Gjykatën e Qarkut në Nish të Serbisë.
Përballja e Kurti me 9 mars të vitit 2000 nuk iu pëlqeu aq shumë strukturave të Beogradit.
Gjithë kjo ngjarje u zhvillua saktësisht në sallën nr.79/ katin e tretë të Gjyqit të Qarkut të Nishit ku prezent ishin rreth 25 gazetarë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.
Më poshtë, të plotë:
I akuzuari Albin Kurti (AK) flet në gjuhën shqipe, përkthyesi Shkëlzen Kryeziu përkthen (ose diçka që është dashur t’i përngjajë përkthimit), por shpeshherë për shkak të përkthimit joadekuat (sinqerisht mendoj për arsye të mosdijes!), AK detyrohet të intervenojë. Gjykatëse është Slagjana Petroviq (tash e tutje GJ). Cingërima e telefonave mobilë, zhurma gjithmonë jokreative e gazetarëve, shundi i sjelljeve, veshjeve, ”stileve” e bisedave e mbushin këtë atmosferë para seancës duke krijuar kështu një zbrastësirë të çuditshme, zbrastësirë të llojit të vet.
GJ: Emri dhe mbiemri?
AK: Albin Kurti.
GJ: Emri i babës?
AK: Zaim.
GJ: Emri i nënës?
AK: Arife Kurti.
GJ: Mbiemri i vajzërisë së nënës?
AK: Tahiri.
GJ: Data e lindjes?
AK: 24 mars 1975.
GJ: Vendlindja?
AK: Prishtinë.
GJ: Vendi ku jetoni?
AK: Prishtinë.
GJ: Nënshtetësia?
AK: Republika e Kosovës.
GJ: (I drejtohet daktilografes) Shënoni! I akuzuari në pytjen se i çfarë nënshtetësie është, u përgjigj se është shtetas i Republikës së Kosovës. Profesioni i juaj?
AK: Student.
GJ: A e keni kryer shërbimin ushtarak në Ushtrinë Jugosllave?
AK: Jo.
GJ: A e keni marrur thirrjen?
AK: Jo, por edhe sikur ta kisha marrur nuk do ti përgjigjesha sepse Ushtria Jugosllave është ushtri okupatore. Në të vërtetë ishte sepse tani nuk është më.
GJ: A dëshironi të mbroheni në heshtje, të mbroheni vetë apo të zgjedhni avokat?
AK: Mua nuk më nevoitet kurrfarë avokati. Nuk kam pse të mbrohem e as nga kush të mbrohem. Por unë do të përfaqësoj vetveten. Sikur gjithmonë.
GJ: Por ligji dhe procedura gjyqësore e kërkojnë të kesh avokat, prandaj gjyqi ka caktuar dy avokat për mbrojtjen e juaj, avokatë këta sipas detyrës zyrtare.
AK: Ai është problem i juaji e jo i imi. Mua këta avokatë nuk më interesojnë fare. Unë ata as nuk i njoh e as nuk i pranoj. Ata për mua paraqesin të njejtën gjë që paraqet edhe Prokurori publik. Rrjedhimisht ata mua nuk mund të më mbrojnë e as të më përfaqësojnë.
GJ: (Urdhëron të futet kjo në procesverbal dhe e lexon aktakuzën) A e keni kuptuar aktakuzën?
AK: Po, dhe do të dëshiroja të them disa fjalë.
GJ: Urdhëroni. (Dhe kushedi për të satën herë rregullon qëndrimin para fotografimeve të gazetarëve).
AK: Unë kamë punuar si anëtarë i kryesisë së UPSUP-së dhe njëherit si kryetar i Komisionit për Mardhënie Ndërkombëtare në kryesinë e UPSUP-së. Veprimtaria jonë kryesore ka qenë organizimi i demonstratave të cilat kanë pasur për qëllim lirimin e objekteve dhe hapësirës universitare, prej nga ne studentët dhe profesorët shqipëtarë jemi dëbuar me dhunë në qershorë të vitit 1991, si dhe qëllim i këtyre demonstratave ka qenë realizimi i pavarsisë së Republikës së Kosovës, realizim i vullnetit politik të popullit shqiptar për çfarë ai u deklarua në Referendumin e shtatorit të vitit 1991. Pra veprimtaria jonë në UPSUP ka qenë e orientuar kundër regjimit fashist serb të Slobodan Milosheviqit, i cili me forcat e veta policore dhe ushtarake e mbante Kosovën të okupuar kurse ndaj popullit shqiptar në Kosovë zbatonte dhunë, represion sistematik dhe terror të paparë.
Gjithashtu kam punuar edhe si Sekretar i Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik (PPP) të UÇK-së, z.Adem Demaçi. Angazhimi im si sekretar ka qenë në përfaqësimin dhe avansimin sa më të mirë të politikës së UÇK-së dhe luftës së saj çlirimtare. Lufta çlirimtare e UÇK-së ishte luftë e drejtë gjithpopullore që kishte për synim qëllimin e shenjtë: çlirimin e Kosovës dhe të popullit shqiptar nga robëria serbe dhe realizimin e pavarsisë së Republikës së Kosovës. Kjo luftë njëkohësisht ishte edhe luftë antikolonialiste e antifashite. Pra lufta çlirimtare ishte mjet kurse pavarësia qëllim. Pavarësia e Republikës së Kosovës është e vetmja zgjidhje e mundshme dhe e pranueshme. Për popullin shqiptar në Kosovë, pavarësia është çështje ekzistenciale, sepse vetëm në Kosovën e pavarur shqiptarët ndihen të lirë, të sigurtë dhe vetëm në Kosovën e pavarur ndihen se mund t’i realizojnë të drejtat e tyre. Si sekretar i PPP të UÇK-së, z.Adem Demaçi kam punuar për dy arsye: e para për shkak të kontributit që kam dashur ti jap UÇK-së dhe luftës çlirimtare, dhe e dyta për shkak të nderit dhe respektit që kam për figurën e z.Adem Demaçi, simbolit të rezitencës shqiptare.
Edhe në UPSUP e poashtu edhe si Sekretar i z.Demaçi kam punuar vullnetarisht, me përpikëri dhe punën time e kam kryer në mënyrë dinjitoze. Për krejt çka kam bërë jam krenar. Sikur të më ipej shansa që edhe njëherë të filloj nga fillimi, asgjë nuk do të ndryshoja, çdo gjë do të veproja sërisht njësoj.
Në fund, unë këtë gjyq nuk e njoh e as nuk e pranoj ashtu siç nuk e njoh e nuk e pranoj as Serbinë e as Jugosllavinë. Ky gjyq nuk ka asgjë të përbashkët me të vërtetën e drejtësinë. Ky gjyq është në shërbim të politikës ditore fashiste të Milosheviqit. (Gjykatësja dikton “politikës fashiste të Milosheviqit”; AK intervenon dhe thotë e ai ka thënë politikës ditore fashiste të Milosheviqit, por i thotë gjykatëses se edhe ajo ashtu siç e tha ka të drejtë. Gjykatësen thuajse e kap panika dhe thotë se ajo nuk e ka thënë këtë por ka cituar AK-në, për çfarë e gjithë salla qesh). Në shërbim të një politike e cila shkaktimin e krizave dhe krizat, shkaktimin e luftërave dhe luftërat i ka ngritur në mivel institucional, në nivel të doktrinës së vet ushtarake dhe shtetërore. Mirëpo këtë regjim fashist serb dhe popullin serb unë nuk i identifikoj me njëra tjetrën. Ato janë dy gjëra të ndryshme. Populli serb nëse nuk e kupton këtë ose nëse e kupton e nuk angazhohet për këtë nuk do të shohë dritën e ditës. Pra ai duhet të vendosë: ose dielli ose Milosheviqi. Trajtimi i Kosovës si koloni e Serbisë ka qenë gjenerator i regjimeve hegjemoniste në Serbi prej se ekziston ajo. Prandaj në këtë kontekst pavarëia e Kosovës është edhe në interes të vet popullit serb.
Pas kësaj fjalës sime unë nuk do të përgjigjem më në pyetjet e këtij gjyqi që nuk e njoh. Unë përgjigjem vetëm para gjyqit të popullit tim. Rrjedhimisht nuk ka rëndësi se sa do të më dënoni 10,20,30 apo 50 vjet. Për mua dënimi nuk paraqet kurrfarë mase vlerësuese për asgjë.
(Gjykatësja ia jep fjalën “avokatit” i cili atë nuk e merr kurse prokurori publik kërkon që të shtyhet seanca në mënyrë që ai të ketë kohë të përgatitet për fjalën e vet përfundimtare. Pas pauzës 10 minutëshe gjykatësja e shtyn, me aprovimin e prokurorit, seancën për të hënën me 13 mars 2000 në orën 10. Gjykatësja nuk u lejon gazetarëve intervistimin e AK-së. Salla zbrazet.
Gjatë kthimit në burg gardianët me veturë zyrtare kryejnë punë të imta private (blejnë cigare, bredhin nëpër qytet, nxjerrin dofarë çertifikatash) dhe kështu kthimi prapa në burg në vend të 10 minutave zgjat mbi gjysmë ore.
(Të hënën, me 13.03.2000 vazhdohet seanca. Prokurori publik (PP) merr fjalën. Në këtë vazhdim seance ka edhe më tepër gazetarë të huaj sesa më 9 mars)
PP: Së pari do t’iu informoj se kam ndërruar aktakuzën për të akuzuarin AK. (E lexon aktakuzën. Ajo është fjalë për fjalë e njejtë; dallon vetëm në atë se në vend të neneve 136 al.1, në lidhje me 125 e dënueshme sipas 139 al.3, tani është neni 116 al.1 bashkë me 136 al.2 dhe me 125). Duke u bazuar në fjalën e të akuzuarit mendoj se çdo gjë është e qartë. I akuzuari nuk e njeh as këtë gjyq, as Serbinë e as Jugosllavinë. Ai mburret me veprimtarinë dhe punën e tij, dhe thotë se sërish do të vepronte njësoj po ti krijohej mundësia për këtë, çka do të thotë se AK çdo gjë e ka bërë me paramendim dhe vetëdije dhe se nuk pendohet. Ai së pari ka përdorur demonstratat e pastaj siç thotë luftën çlirimtare për shkatërrimin e shtetit të Serbisë dhe Jugosllavisë dhe të suverenitetit dhe integritetit të tyre territorial. Ai kur demonstratat nuk i kanë dhënë rezultatet e dëshiruara, është hedhur në terrorizëm të cilin AK e quan luftë çlirimtare. Ai nuk ka punuar për Adem Demaçin por bashkë me të, e këtë e vërteton fakti se e ka zëvendësuar shpeshherë në konferencat për shtyp. Gjithashtu këta së bashku kanë mbajtur kontakte permanente me Shtabin e Përgjithshëm të të ashtuquajturës UÇK, kanë udhëhequr politikën e saj, si rrjedhim i së cilës janë edhe aksionet terroriste dhe të dhunës permanente ndaj pjestarëve të UJ dhe MPB. Gjithashtu i akuzuari AK ka marrë pjesë në mbledhjet dhe negociatat që kanë pasur të bëjnë me policët, ushtarët dhe civilët e kindapuar, mbledhje këto në fshatrat Likovc dhe Llapashticë. Me PPP të “UÇK”-së, z.Adem Demaçi është pandërprerë, e dihet se kush është Demaçi. Gjithashtu AK ka organizuar kurset e ndihmës së parë dhe të dhënies së së gjakut për pjestarët e plagosur të “UÇK”-së, edhe pse ai këtë nuk e ka pranuar gjatë procedurës hetuese, duke thënë se këto kanë qenë në kuadër të Mbrojtjes Civile të UP-së, dhe kanë pasur të bëjnë me luftën eventuale nëpër qytete për civilët eventual të plagosur. AK ka organizuar demonstrata por siç ka thënë para gjykatësit hetues nuk i ka paraqitur ato organeve të MPB e lere më të kërkoj leje sepse ai siç ka thënë nuk e njeh shtetin e Serbisë. I akuzuari i ka deklaratat kontradiktore. Ai në njërën anë thotë se “UÇK”-ja dhe shqiptarët janë një, kurse populli serb dhe regjimi serb janë dy gjëra të ndryshme. Ai duke thënë se serbët duke e trajtuar Kosovën si koloni gjithmonë kanë pasur regjime fashiste (shtrembërim i deklaratës së AK-së!), shfaq hapur urrejtjen e tij ndaj popullit serb dhe çdo gjëje serbe.
Duke u bazuar në gjithë këtë i propozoj Gjyqit që të akuzuarin AK ta shpall fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.
(Gjykatësja ia jep fjalën “avokatit” (AV))
AV: Duke pasur për bazë se i akuzuari çdo gjë e ka bërë hapur dhe publikisht dhe se kryeisht e akuzoni për delikte verbale të zhvlerësuara tanimë propozoj që AK të lirohet.
(Gjykatëja ia jep fjalën AK-së)
AK: Fjalët e këtij avokati mos i merrni parasysh. (E gjithë salla qesh, me gjasë për shkak se ai avokat posa kishte thënë që AK të lirohet). Ai nuk më përfaqëon mua. Po e përsëris ky avokat, prokurori dhe gjyqi për mua janë një. Pas fjalës sime me 9 mars, asgjë më nuk më intereson.
(Gjykatësja e ndërpret seancën rreth orës 11:20 për ta vazhduar-përfunduar në 13:30)
GJ: (Në orën 13:30) I akuzuari AK nga trupi gjykues në përbërje (e thotë përbërjen) shpallet fajtor dhe dënohet me gjithej 15 vite; 13 vite si fajtor në bazë të nenit 116 al.1, dhe 4 vite si fajtor për nenin 136 al.2. AK-së I vazhdohet automatikisht paraburgimi në bazë të … bla, bla, bla…
(AK sërisht nuk lejohet të intervistohet nga gazetarët e shumtë).
Shkëputje nga libri “GJYKIMET E PENGJEVE 1999-2001” ose “Proceset e montuara kundër shqiptarëve të Kosovës 1999-2001” në serbisht me autor; Fahri Musliun.
(Historia u përsërit edhe në Kosovën e pavarur)
Rruga Press