Lajme

KQZ-ja shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve në veri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale, të mbajtura në katër komunat në veri të Kosovës të dielën. Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq kanë fituar kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa në Zveçan dhe Zubin-Potok ata të Partisë Demokratike të Kosovës.

Në Leposaviq, Lulzim Hetemi i VV-së mori shumicën e votave. Hetemi mori 100 vota apo 73.5 për qind, ndërsa Albulena Behluli-Hetemi e PDK-së pati 34 vota apo 25 për qind. Aleksandar Jabllanoviq, edhe pse u tërhoq nga gara, mori dy vota.

VV-ja do të udhëheqë në Mitrovicën e Veriut. Kandidati i saj, Erden Atiq ka fituar 553 vota apo 66.9 për qind. Pas tij është renditur kandidati i PDK-së, Taulant Kelmendi, që mori 193 vota apo 23.4 për qind dhe Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica mori 80 vota apo 9.7 për qind.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti vendos gurthemelin e nënstacionit policor të policisë kufitare në Izvor të Zveçanit, dy kilometra nga kufiri me Serbinë

Ndërkohë, PDK-ja do të udhëheqë me Zubin-Potokun. Kandidati i saj, Izmir Zeqiri, fitoi ngushtë ndaj kandidatit të VV-së, Flatron Hasani. Zeqiri mori 197 vota apo 52.2 për qind, kurse Hasani pati 180 vota apo 47.7 për qind.

PDK-ja do ta ketë kryetarin e komunës edhe në Zveçan. Ilir Peci mori 114 vota apo 59 për qind, ndërsa Fetah Peci i VV-së mori 72 vota apo 37.3 për qind. Sllagjana Pantoviq mori shtatë vota apo 3.6 për qind.

KQZ-ja po ashtu ka shpallur rezultatet edhe për asambletë komunale në Leposaviq e në Zveçan.

Në Leposaviq, Vetëvendosje ka marrë 85 vota apo 77.3 për qind dhe do t’i ketë 15 ulëse. PDK-ja ka marrë dy ulëse me 21 vota, ndërsa dy ulëse do t’i ketë edhe Partia e Serbëve të Kosovës.

Në Zveçan, PDK-ja do ta ketë shumicën me 11 ulëse pasi ka marrë 60.1 për qind apo 93 vota, ndërsa VV-ja do t’i ketë 8 ulëse me 65 vota.

Ankesë në shpalljen e rezultateve palët e pakënaqura kanë afat deri të mërkurën në orën 14:00.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *