KryesoreLajme

KQZ-ja aprovon rreth 24 mijë kërkesa për regjistrim nga diaspora, procesi vazhdon deri më 26 dhjetor

Procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, i cili ka nisur më 29 gusht do të vazhdoi deri më 26 dhjetor 2024.

Deri më tani, më shumë se 25,100 kërkesa janë dorëzuar përmes platformës elektronike diaspora.kqz-ks.org, nga të cilat janë miratuar 23,618 ndërsa 1,525 janë refuzuar.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, tha se “në shumicën e rasteve të refuzuara, arsyeja kryesore është se aplikuesit nuk kanë përmbushur kriterin e fotografimit duke mbajtur njëkohësisht dokumentin e identifikimit.”

“Nga 23,618 aplikime të aprovuara, 6,228 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike 3,575 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë dhe 13,815 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës”, tha Elezi.

Lexo më shumë  Osmani ia prezanton Costas dëshmitë për lidhjet e Serbisë me sulmin në Ibër-Lepenc

Elezi theksoi se procesi i regjistrimit është gjithëpërfshirës dhe nuk përjashton askënd. “Kjo do të thotë se nëse një shtetas i refuzohet aplikimi, ky nuk është një refuzim përfundimtar, pasi i njëjti ka të drejtë të ri-aplikojë” deklaroi ai.

KQZ njofton aplikuesit e refuzuar individualisht për arsyet e refuzimit dhe udhëzon ata për hapat e mëtejshëm për të përmbushur kërkesat e regjistrimit.

Lexo më shumë  Hoxha: Mund të priten arrestime të reja për sulmin terrorist në Ibër – Lepenc

Zëdhënësi i KQZ-së inkurajoi të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për t’u bërë pjesë e procesit zgjedhor.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve inkurajon të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për t’u bërë pjesë e procesit zgjedhor në Republikën e Kosovës, fillimisht duke u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe më vonë duke votuar”, tha ai.

Për më shumë informacione dhe për të aplikuar, vizitoni diaspora.kqz-ks.org.

YouTube player