KPP i anulon tenderin e luksit drejtoreshës së Veliajt
Drejtoresha e Erion Veliajt e Pastrim Gjelbërimit shpenzon 100 milionë lekë për të mbajtur freskinë në zyrat e selisë së saj në lagjen 5 Maj. Kjo porosi ishte një nga golat e fundit të Lali Erit me arkën e bashkisë. 100.2 milionë lekë pa llogaritur TVSH, është fondi limit i ndarë për këtë qëllim. Nëse shtojmë tatimin, vlera e kontratës pritet të kalojë mbi 120 milionë lekë.
“Sistemi i ngrohje ftohje ka për qëllim krijimin e kushteve klimatike në përputhje me komfortin e punës në ambientet e brendshme të godinës, duke bërë të mundur kontrollin e temperaturës si në stinën e dimrit ashtu edhe në stinën e verës. Të gjitha ambientet do të shërbehen nga impiante të ajrit të kondicionuar të tipit VRF (Variable Refrigeration Flow). Kushtet e komfortit, që mund të sigurohen brenda ambienteve janë në varësi të destinacionit të përdorimit të ambienteve”. Kështu nis prezantimi i projektit të sistemit modern që do të futet në zyrat e bashkisë.
Tenderi me “Flamur të kuq”
Tenderi i organizuar nga drejtoresha Liri Qoshi ka qenë i qepur për firmën fituese, por tashmë është anuluar nga KPP për shkak të manipulimeve të dukshme.
Bëhet fjalë për prokurimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Pastrimit dhe Gjelbërimit Tiranë me objekt “Sistemi i ngrohjes së godinës”, që sipas dokumenteve, e ka fondin limit 10 227 591,00 lekë.
Kështu më 5 nëntor 2024, u shpall tenderi dhe iu la afat pjesëmarrësve deri në datën 18 nëntor për dorëzimin e dokumenteve. Në këtë procedurë kanë aplikuar 4 operatorë ekonomik, por për shkak se fituesi ka qenë i paracaktuar, nuk kanë pasur vlerë ofertat e tyre.
“Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”, me këtë përshkrim, Open Data Albania i ka vendosur tenderit “Flamurin e kuq”. Theksojmë se kjo është shenja e riskut të korrupsionit.

Fiton oferta më e shtrenjtë
Më 13 janar 2025, kompania KLIMA TEKNIKA TB2 e pronarit Petrit Paja është shpallur oferta fituese me propozimin 9 605 416,00 lekë.
Si pasojë e këtij vendimi nga komisioni i Liri Qoshit, janë lënë jashtë konkurrimit ofertat më të lira, nga të cilat mund të kurseheshin miliona lekë në arkën e bashkisë.
Kështu, janë skualifikuar “Sulollari Klima” shpk me ofertën 7 998 000 lekë, “EC Pro Partners” shpk me propozimin 9 045 640.23 lekë dhe ‘Zeqirllari” shpk me vlerën 9 102 508.32 lekë.

Tenderi anulohet nga KPP
Tenderi u denoncua nga kompania “Sulollari Klima” që nuk është pajtuar me këtë vlerësim. Më 13 shkurt 2025, Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) shqyrtoi ankesën për “Shfuqizimin e vendimit tё Komisionit të vlerësimit të ofertave mbi skualifikimin e ofertës të paraqitur nga operatori ekonomik “Sulollari-Klima” SHPK në procedurën e prokurimit “Sistemi i ngrohjes së godinës”.
Ne vendim të KPP, tenderi pezullohet dhe do të bëhet nga e para, pasi u zbuluan manipulime të përllogaritjeve. Një rrethanë që favorizonte këtë vendim ishte se shqyrtimi i denoncimit është bërë dy ditë pasi ishte arrestuar për korrupsion kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

“Marrë shkas nga arsyeja e skualifikimit të operatorit ekonomik ankimues “Sulollari Klima” SHPK, nga verifikimi i strukturës së preventivit të përcaktuar nga autoriteti kontraktor, në bazë të të cilit është bërë më pas edhe shqyrtimi dhe vlerësimi i ofertës, Komisioni i Prokurimit Publik, konstaton, se ky preventiv është hartuar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi”, nënvizojmë nga argumentimi i vendimit të KPP.
Pra, Veliaj shkoi në burg, por vazhdon korrupsioni me tenderat që ka bërë para largimit nga zyra./ Gijotina
Rruga Press