Kosovës i shtohen 100 noterë të rinj, Haxhiu: Provimi – transparent e profesional si asnjëherë më parë
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka njoftuar se janë emëruar 100 noterë të rinj.
Haxhiu ka thënë se sot ka nënshkruar vendimet për emërimin e tyre, duke bërë të ditur se do të publikohen të hënën në webfaqen e kësaj ministrie.
“100 noterë të rinj iu shtuan vendit tonë me ç’rast sot kam nënshkruar edhe vendimet për emërimin e tyre, ndërsa për shkak të mosplotësimit të kushteve emërimi i 6 kandidatëve të tjerë për noter është refuzuar. Vendimet do të publikohen të hënën në ëebfaqen e Ministrisë së Drejtësisë.”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Ajo tutje ka thënë se ky proces i Provimit të Noterisë ka qenë ndër proceset më transparente e profesionale të organizuara ndonjëherë.
“Për shkak të përvojave të hidhura në të kaluarën, ky proces i Provimit të Noterisë ka qenë ndër proceset më transparente e profesionale të organizuara ndonjëherë. Me përzgjedhjen e 100 noterëve të rinj kemi dëshmuar që edhe mund t’i përmbushim nevojat e qytetarëve por edhe meritokracinë. Falenderoj Komisionin për Provimin e Noterisë, Komisionin për përzgjedhjen e noterëve dhe stafin mbështetës të Ministrisë për punën dhe angazhimin e tyre profesional.”, ka theksuar Haxhiu.