Kosovës i është avancuar statusi i vendit në Asamblenë Parlamentare të NATO-s
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe deputeti i partisë në pushtet Driton Hyseni, kanë thënë se Komisioni i Përhershëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s e ka avancuar statusin e Kuvendit të Kosovës në këtë trup, nga ai vëzhgues në të asociuar. Në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë thonë se është hap pozitiv çfarëdo avancimi nëpër strukturat e NATO-s. Por theksojnë se çështja e anëtarësimit në NATO është mbi të gjitha vendim politik i Aleancës.
Kosova pritet që së shpejti ta rrisë nivelin e përfaqësimit në Asamblenë Parlamentare të NATO, ka njoftuar deputeti i LVV-së Driton Hyseni, kryesues i Delegacionit të Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Aleancës Veriatlantike.
Hyseni falënderoi Michal Szczerba-n, presidentin polak të Asamblesë, për këtë përkrahje duke dhenë lajmin e mirë nga Estonia ku kjo asamble po zhvillon punimet.
Tha se vendimi vetëm se do të formalizohet në mbledhjen e radhës.
“Për shumë vjet Kosova kishte statusin e anëtarit vëzhgues. Ky vendim do të formalizohet me votim në Asamblenë Parlamentare të NATO-s në sesionin pranveror të Asamblesë, që do të mbahet më 27 maj në Sofje. Me ngritjen e nivelit të përfaqësimit të Kosovës në Asamblenë e NATO-s ne do të kemi zgjerim të delegacionit, përfshirje më të madhe në vendimet e Asamblesë dhe do të kemi të drejtë në adresimin e amendamenteve dhe komenteve për secilin proces e dokument i cili trajtohet nga Asambleja, të cilat më herët është dashur të bëheshin përmes delegacioneve të vendeve të tjera, kryesisht Shqipërisë”, ka shkruar Hyseni.
Statusin e anëtarëve të asociuar e mbajnë në PE-në e NATO-s edhe Armenia, Azerbajxhani, Gjeorgjia, Zvicra, Austria, Ukraina, Moldavia, Parlamenti Evropian e edhe Serbia.
Këtë e vlerësoi si hap të rëndësishëm për avancimin e Kosovës drejt NATO-s edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
“Komiteti i Përhershëm i Asamblesë Parlamentare ka vendosur ta ngrejë nivelin e Kuvendit të Kosovës nga vëzhgues parlamentar në anëtar të asociuar. Ky është hap i madh për sigurinë dhe prosperitetin e Kosovës dhe rajonit. Anëtarësimi si në NATO, ashtu edhe në BE është thelbësor për çdo shtet demokratik”, ka deklaruar Maqedonci.
Sipas Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, avancimi i Kosovës në institucionet e NATO-s rrit vigjilencën e NATO-s në raport me sfidat e sigurisë së Kosovës dhe se çdo avancim drejt NATO-s i shërben paqes.
Sipas kësaj organizate të shoqërisë civile, anëtarësimi në Partneritetin për Paqe nuk është domosdo parakusht për anëtarësimin në NATO.
“Nuk ka pasur presion të madh te katër mos-njohëset të na njohin. Tash i kemi parë edhe problemet e tjera me shtetet si Hungaria, por edhe kohët e fundit, siç po shihet pengesë e njëjtë mund të jetë edhe Mali i Zi, për faktin që tashmë forcat pro-serbe janë duke e dominuar në këtë vend kështuqë risku që do të kemi sfida është jashtëzakonisht i madh…Kosova, në fakt është trajnuar nga vetë NATO-ja. Këtë forcë që e kemi është krejt kontribut i NATO-s, kështuqë mendoj që për këtë fazën teknike nuk ka nevojë për pritet sidomos në rrethanat që jemi që janë mjaft destabilizuese”, ka thënë drejtori ekzekutiv i QKSS-së, Mentor Vrajolli.
E për arritjen e anëtarësimit, sipas Vrajollit, duhet mbështetje politike të aleatëve kryesorë të Kosovës, meqë, siç thotë ai, mbi të gjitha anëtarësimi në NATO është çështje politike, para se të jetë çështje e përmbushjes së kritereve teknike, siç është armatimi.
Partneriteti për Paqe është një program i NATO-s që synon krijimin e besimit midis shteteve anëtare të NATO-s dhe shteteve të tjera në Evropë.
Rruga Press