Kosovë/ Vendosen masat e reja anti-COVID
Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja anti-COVID, pas rritjes enorme të rasteve të reja të infektimeve e të fataliteteve.
Në mbledhjen e 32-të të Qeverisë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se institucionet janë të detyruara të shtrëngojnë masat për të parandaluar përhapjen e mëtejme të virusit.
“Masat kundër pandemisë i kemi propozuar e miratuar në raport me situatën epidemilogjike duke qenë të kujdesshëm për të ruajtur raportin mes shëndetit e ekonomisë. Kur përmirësohej situata i lironim, kur përkeqësohet jemi të detyruar t’i shtrëngojmë. Me miratimin e vaksinës ndryshoi raporti me pandeminë. U kthyem në kundërsulm me vaksinim. E nisëm nga fundi i marsit, e atë masiv nga 15 qershori. Edhe pse e nisëm të fundit në rajon, në gusht për disa javë ishim të parët me mesataren më të lartë në rajon”, ka thënë ai duke shtuar se “një valë e re ishte e pashmangshme në shtator”.
Ai ka bërë thirrje për vaksinim urgjent të qytetarëve.
Masat kryesore parashohin që të shtyhet fillimi i vitit të ri shkollor deri më 13 shtator.
Tani qytetarëve që hyjnë në Kosovë nga pikat kufitare do t’u kërkohet dëshmia e vaksinimit, testi PCR i 72 orëve të fundit apo ai serologjik i 30 ditëve të fundit, pavarësisht shtetësisë së tyre. Në të kundërtën, ata duhet të nënshkruajnë deklaratën nën betim e të vetizolohen për 7 ditë.
Gastronomisë i është kufizuar orari i punës. Ajo do të punojë vetëm në ambiente të hapura, deri në orën 21:30.
Është kufizuar edhe qarkullimi i qytetarëve pas orës 22:00.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i ka quajtur të domosdoshme shtrëngimin e masave. Ai s’ka përjashtuar mundësinë e marrjes së masave të reja nëse situata vazhdon të përkeqësohet.
Masat e reja do të hyjnë në fuqi që nga nesër, 29 gusht.
Rruga Press