Kosovë/ GAP: Qeveria favorizon komunat e udhëhequra nga AAK-ja me projektbuxhetin e vitit 2021
Instituti GAP përmes raportit “Projektbuxheti 2021: favorizimet dhe diskriminimet e komunave në investimet komunale”, ka konkluduar se komunat e udhëhequra nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë më të favorizuarat. Sipas këtij raporti, investimet kapitale të ministrive në komuna janë paraparë të jenë mbi 93 milionë euro dhe të shpërndahen në 33 komuna.
Shteti ka menduar të kryejë më shumë investime në infrastrukturë se në shëndetësi. Investime e Ministrisë së Shëndetësisë në komuna pritet të bien për 92 për qind në krahasim me vitin 2020. Komunat që do të përfitojnë më shumë nga buxheti i ministrive për investimet kapitale gjatë vitit 2021 janë Komuna e Gjakovës, Prishtinës, Deçanit dhe Mitrovicës.
Sikurse viteve të kaluara, shumica dërrmuese e projekteve kapitale qendrore janë vazhdim apo obligim nga vitet e kaluara, duke lënë pak hapësirë për projekte të reja. Nga rreth 9 milionë euro projekte të reja, më shumë se gjysma e tyre (55%) do të ndahen nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit. Komunat të cilat do të përfitojnë më shumë nga investimet e reja kapitale në vitin 2021 janë Komuna e Gjakovës, Mitrovicës, Klinës dhe Deçanit. Komunat e qeverisura nga AAK do të përfitojnë 60 % të investimeve të reja, komunat e qeverisura nga LDK me 19%, komunat e qeverisura nga VV me 12% dhe të tjera.
Sa i përket përqindjes së investimeve krahas popullsisë, komunat e qeverisura nga LDK janë diskriminuar kurse komunat të cilat menaxhohen nga AAK janë favorizuar. Ndërsa, në komunat e qeverisura nga subjektet tjera politike nuk vërehet diskriminim i madh pozitiv apo negativ.
Projektligji për buxhetin e vitit 2021, u miratua më 30 tetor 2020.
Sipas tij, ministritë do të menaxhojnë rreth 1.54 miliardë euro, prej të cilave 452 milionë apo 29% ndahen për investime kapitale. Nga këto investime kapitale, mbi 93 milionë euro do të investohen në 33 komuna. Kurse komunat, nga gjithsej 550 milionë euro buxhet, rreth 143 milionë euro kanë ndarë për investime kapitale. Investimet kapitale të nivelit qendror në komuna do të jenë më të ulëta krahasuar me ato të vitit 2020.
Rruga Press