KryesoreLajme

Kosova nis tranzicionin energjetik – Kurti: Jemi të përkushtuar ndaj agjendës së gjelbër evropiane

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e Forumit të II-të për Investime të Qëndrueshme, të organizuar në Prishtinë nga Këshilli i Investitorëve Evropian (EIC) dhe mbështetur nga ProCredit Bank. Në këtë vit, forumi u fokusua në temën “Dekarbonizimi dhe Net Zero: Fuqizimi i NVM-ve për një të Ardhme të Qëndrueshme”, derisa ofron një mundësi unike për të eksploruar rrugën e Kosovës drejt Net Zero dhe rolin kyç që luajnë Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM).

Në adresimin e tij, Kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës drejt tranzicionit të energjisë së ripërtëritshme dhe përfshirjes së bizneseve vendore.

“Ne jemi të vendosur të mbajmë të njëjtin hap me Evropën sa i përket agjendës së dekarbonizimit, jo pavarësisht nga kufizimet tona, por për shkak të tyre. Kjo është arsyeja pse ne kemi filluar rinovimin e termocentralit tonë kryesor me qymyr—përmirësimin e efikasitetit dhe uljen e emetimeve—duke përgatitur terrenin për një zhvendosje më të gjerë drejt energjisë së rinovueshme dhe infrastrukturës inteligjente”, tha kryeministri Kurti.

Lexo më shumë  Nga LDK-ja s'po bëhen të gjallë - Thuhet se Hykmete Bajrami ka dhënë dorëheqje dhe kërkon edhe dorëheqjen e Abdixhikut

Ai njoftoi se për herë të parë pas katër dekadash që nga ndërtimi i termocentralit Kosova B, ka filluar modernizimi i madh i njësive ekzistuese dhe zgjerimi i kapaciteteve të gjenerimit, me investim prej 56.5 milionë euro, i financuar tërësisht nga KEK-u, pa kredi apo borxh publik. Si rezultat, pritet të ketë 15 megavat shtesë kapacitet prodhimi në vitin 2025, arritje të cilën kryeministri e cilësoi si hap të rëndësishëm drejt sigurisë energjetike dhe llogaridhënies publike.

Shtoi se kërkesa për energji është në rritje globalisht, dhe në Kosovë, vitet e fundit kemi qenë dëshmitarë të dyfishimit të eksporteve dhe qarkullimit të bizneseve të sektorit privat. Kryeministri theksoi se me prodhimtari më të lartë vjen një nevojë më e madhe për furnizim të sigurt dhe të qëndrueshëm me energji, ku e njëjta gjë vlen edhe për sektorin tonë në rritje të teknologjisë, i cili kërkon infrastrukturë moderne, të besueshme dhe të shkallëzuar të energjisë për të lulëzuar.

Lexo më shumë  Inceneratorët e fikur/ AFP: Mbeturinat pushtojnë lumenjtë në Shqipëri, përkeqësojnë përmbytjet

Në anën tjetër, u përmend roli kyç i Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme në ekonominë vendore, të cilat përbejnë mbi 90% të sektorit privat të Kosovës dhe për të cilat, Qeveria do të ofrojë mbështetje përmes lansimit të instrumenteve mbështetëse.

Në përmbyllje, ai tha se Kosova nuk do ta ecë këtë rrugë e vetme, por do të mbështetet në bashkëpunimin e partnerëve evropianë, fqinjëve rajonalë, diasporës dhe komunitetit ndërkombëtar zhvillimor: “Ne jemi të gatshëm të bëjmë detyrën tonë. Për ata që po ndërtojnë, prodhojnë dhe investojnë për një të ardhme të qëndrueshme: Kosova është pranë jush. Le të ecim përpara bashkë, përgjegjshëm dhe me vendosmëri”.

YouTube player