Kosova nënshkruan marrëveshjen e grantit rreth 35 milionësh me USAID-in amerikan
Në një ceremoni të mërkurën është nënshkruar marrëveshja e grantit për objektivat zhvillimore ndërmjet Kosovës dhe Agjencisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
Amendamenti numër 6 i marrëveshjes së grantit për objektivat zhvillimore është nënshkruar nga presidentja Vjosa Osmani, në emër të Republikës së Kosovës dhe nga Mary Elieen Devitt, në emër të USAID. Vlera e këtij granti arrin në 34.5 milionë dollarë.
Në konferencën për media pas ceremonisë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se “secila nismë dhe sukses që në qendër ka përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës dhe përmirësimin e institucioneve tona demokratike e llogaridhënëse ka po ashtu gjurmët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Ajo ka thënë se totali i marrëveshjeve me USAID në këtë grant arrin në vlerë prej 142.5 milionë dollarësh.
“SHBA-ja kanë qenë dhe mbeten partner i përkushtuar dhe i palëkundur i popullit të Kosovës në këtë drejtim. Krahas përkrahjes financiare populli amerikan ndër vite ka treguar partneritet të vazhdueshëm të ndërtuar mbi vlera, por mbi të gjitha partneritet i ndërtuar në besim të ndërsjellë, besim në një Kosovë që në qendër të vëmendjes ka popullin e saj”, ka thënë ajo. “Këto nisma të përbashkëta janë deklarimi i fuqisë së bashkëpunimit tonë dhe një garanci për një të ardhme të ndritur për vendin tonë. Sa herë punojmë bashkë me SHBA-në, qytetarët tanë dhe shteti ynë përfiton”.
Rruga Press