Kosova mikpritëse e Kampionatit të Hapur Evropian të Xhudos
Kosova do të jetë nikoqire e Kampionatit e Kampionatit të Hapur Evropian të Xhudos. Ky kampionat do të mbahet më 16 dhjetor 2023 në Prishtinë.
Xhudistët më të mirë të Kosovës do të përballen me ata të vendeve evropiane në tri kategori në kuadër të këtij kampionati. Garat do të zhvillohen në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.
Agron Kuka, kryetar i Federatës së Xhudos së Kosovës, thotë në një bisedë për KALLXO.com se në Kampionatin Evropian të Hapur të Xhudos që mbahet në dhjetor do të marrin pjesë xhudistët më të mirë të Evropës.
Ai thotë se një garë e tillë mbahet për herë të parë në Kosovë dhe sportdashësit do të kenë një rast të mirë për mundësinë që t`i shohin elitën e sportit të xhudos në vendin tonë.
Kuka thotë se xhudoja si sport në grupmoshat e të rriturve ka 7 kategori për femra dhe 7 për meshkuj dhe, siç ka thënë ai më tej, zakonisht mbahen edhe kampionate open që do të thotë kategori apsolute dhe kanë të drejtë pjesëmarrje të gjitha kategoritë!
“Kampionati që do mbahet në Kosovë është i këtij lloji, vetëm se është i kufizuar në 3 kategori për femra dhe 3 për meshkuj. Kanë të drejtë pjesëmarrje kategoria 48 kg 52 kg dhe 57 kg ndërsa për meshkuj 60 kg, 66kg dhe 73 kg”- ka thënë kryetari Kuka.
Sipas tij, gara në kuadër të Kampionatit të Hapur Evropian të Xhudos më 16 dhjetor në Prishtinë do zhvillohet gjatë një dite, eliminimet paradite ndërsa blloku final do mbahet në mbrëmje.
“Nga garuesit vendës me siguri pjesëmarrëse do jenë dy kampionet tona olimpike Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Akil Gjakova, etj., ndërsa sigurisht nga shtetet tjera do jenë garuesit më eminent që kanë shtetet pjesëmarrëse”- ka thënë kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës.
Javë më parë në Kosovë qëndroi për vizitë presidenti i Federatës Evropiane të Xhudos, Lazlo Toth dhe zëvendës presidenti i Federatës Evropiane të Xhudos, Hrvoje Lindi, me ç’rast u nënshkrua edhe memorandumi i bashkëpunimit mes MKRS-së, Federatës Evropiane të Xhudos dhe Federatës së Xhudos të Kosovës, për mbajtjen e Kampionat të Hapur Evropian të Xhudos.
Xhudistët kosovarë vazhdojnë të jenë në majat e sportit të xhudon në garat ndërkombëtare.
Që nga 2016, kur Majlinda Kelmendi triumfoi në Olimpiadën e Rio de Zhaneros në Brazil, xhudistët nga Kosova vazhdojë të rrëmbejnë medalje në garat ndërkombëtare.
Javë më parë, Distria Krasniqi u shpall si më miranë botë për kategorinë deri në 52 kilogramë sipas një rënditje të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos.
Ndërsa tri ditë më parë Loriana Kuka fitoi medalje në Grand Prixin e Taxhikistan.
Rruga Press