Kosova i ka votat e nevojshme të shteteve anëtare për antarësimin në Këshill të Evropës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se Kosova i ka votat e nevojshme për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës dhe se nuk ka asnjë pengesë për t’u anëtarësuar në këtë organizatë.
Kurti ka pritur në takim ambasadorët e akredituar në Kosovë, ku temë diskutimi ishte dakordimi në Ohër për aneksin e implementimit të Marrëveshjes Bazë.
Kurti ka vlerësuar se rruga për aplikim të Kosovës në Këshill të Evropës dhe në Bashkim Evropian është hapur.
“Në tekst të Aneksit të dakorduar në Ohër thuhet që Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht për t’i respektuar të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe Aneksit, dhe për t’i zbatuar të gjitha detyrimet e tyre përkatëse – që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi – në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim. Aty po ashtu thuhet se Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjitha nenet të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra. Kryeministri Kurti theksoi se delegacioni i Republikës së Kosovës kanë qenë maksimalisht të përkushtuar dhe konstruktiv, por edhe kreativ me oferta e propozime që u refuzuan nga pala tjetër, e cila, sikurse në Bruksel me 27 shkurt, përsëri refuzon të nënshkruajë. Rruga për procedimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian është e hapur.
Sa i përket anëtarësimit në Këshillin e Evropës, Kosova tashmë ka numrin e nevojshëm të votave të shteteve anëtare, ndërkohë që departamenti ligjor i Këshillit ka konfirmuar se nuk ka asnjë pengesë juridike për anëtarësimin e plotë të Republikës së Kosovës në këtë organizatë të rëndësishme”, thuhet nga Kryeministria.
Rruga Press