Kosova fillon operimin e pavarur në sistemin energjetik
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se që nga dita e hënë (14 dhjetor) Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) operon si i pavarur.
“Pavarësimi energjetik është sukses i përbashkët i Kosovës dhe miqve ndërkombëtarë”, ka thënë kryeministri Hoti, gjatë një vizite në KOSTT, thuhet në një deklaratë për media nga zyra e tij.
“Kjo është një arritje e madhe, e cila ka ndodhur, pasi që KOSTT-i ka plotësuar të gjitha kushtet e parapara me marrëveshje dhe tani po operon i pavarur”, tha kryeministri Hoti, duke shtuar se që nga data 14 dhjetor 2020 është vënë në funksion edhe linja e re me Shqipërinë.
Dalja e Kosovë nga blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut) dhe përfshirja e saj në një bllok Shqipërinë ishte paraparë me një marrëveshje mes KOSTT-it dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO) në muajin qershor. Ajo hyri në fuqi më 29 shtator.
Kryeshefi Ekzekutiv në Operatorin e Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT), Ilir Shala, ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë, se nga viti 2008 e deri më 2019, shteti i Serbisë, sipas tij, në mënyrë joligjore ka shfrytëzuar rrjetin e transmisionit të Kosovës dhe ka mbledhur të hyra prej rreth 65 milionë euro.
“Në aspektin financiar apo komercial definohet dimensionimi i kapaciteteve energjetike brenda bllokut Kosovë – Shqipëri, ku sipas kalkulimeve të dakorduara, kursimet do të jenë rreth 4 milionë euro në vit. Për Operatorin e Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë (OST) përfitimet do të jenë 1.4 milionë euro, ndërkaq për KOSTT-në 2.6 milionë euro”, ka thënë Shala./REL/