“Kosova është demokraci funksionale”, Doris Pack: Ndihem thellësisht e turpëruar nga qeveria e vendit tim, Gjermanisë
Ish-deputetja e Bundestagut gjerman dhe Parlamentit Evropian, Doris Pack ka reaguar rreth veprimeve arbitrare në Këshillin e Evropës, ku pavarësisht plotësimit të kritereve, pavarësisht udhëzimeve të ardhura nga raporti i miratuar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Komiteti i Ministrave nuk e ka futur në agjendën e punimeve pranimin e Kosovës, duke e pezulluar padrejtësisht dhe pa argument formal.
Ajo është shprehur se ndihet e turpëruar nga qeveria e vendit të saj, Gjermanisë, që i hoqi Kosovës mundësinë për t’u bërë pjesë e vendeve anëtare në Këshillin e Evropës.
Po ashtu, ajo tha se e njeh shumë mirë Kosovë, për të cilën garanton që është demokraci funksionale.
“Ndihem thellësisht e turpëruar që qeveria e vendit tim i tha jo anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Unë e njoh Kosovën dhe mund të afirmoj se ajo është një demokraci funksionale!!!”.
Këtë pohim ajo e bëri teksa vuri në dukje një koment të mëparshëm të bërë në platformën “X” nga gazetari për çështje evropiane dhe të NATO-s, Stephan Israel, i cili mospranimin e Kosovës nga Gjermania dhe Franca e vlerësoi si një rrugë drejt destabilizimit të mëtejshëm të rajonit.
“Si mund të destabilizohet më tej një rajon – Po na e tregojnë Gjermania dhe Franca duke i thënë jo anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”, tha ai.
Rruga Press