Kosova e nis Ligën e Kombeve në Qipro ose Estoni
Përfaqësuesja e Kosovës do ta nis edicionin 2022/23 të Ligës së Kombeve në Estoni ose Qipro, varësisht se cila prej këtyre përfaqësueseve do ta fitojë plejautin për të luajtur në Ligën C. Kjo ndeshje do të zhvillohet më datën 2 qershor, ka njoftuar UEFA në uebfaqen e saj të premten.
Kosova është pjesë e Grupit C2, të cilin e përbën edhe Greqia e Irlanda e Veriut. Qipro dhe Estonia do të luajnë dy ndeshje të plejautit për të përcaktuar se cila do të mbetet në Grupin C, përkatësisht pjesë e grupit të dytë. Fituesi do të mbetet në Ligën C ndërsa humbësi do të bie në Ligën D. Ndeshja e parë luhet në Tallin të Estonisë më 24 mars, ndërsa e kthimit në Larnaca më 29 mars. Tri ditë pas ndeshjes së parë në edicionin e ri të Ligës së Kombeve, Kosova do të luajë në shtëpi me Greqinë (5 qershor).
Në këtë muaj, Kosova do t’i luajë edhe dy ndeshje tjera. E pret në Prishtinë, Irlandën e Veriut më 9 qershor përpara se të përballet në udhëtim me Greqinë (12 qershor). Dy ndeshjet e fundit të grupit, Kosova i luan në shtator – më 24 shtator në udhëtim te Irlanda e Veriut dhe 27 shtator në shtëpi ndaj Qipros apo Estonisë. Fituesi i grupit do të promovohet në Ligën B.
Rruga Press