Lajme

Kosova dy medalje në xhudo, Serbia asnjë – Vuçiqi “vajton”

Të premten kanë përfunduar garat në xhudo, sa i takon konkurrencës individuale. Me një medalje të argjendtë, një të bronztë dhe me një vend të pestë, Kosova renditet e 14-ta në listën e vendeve më të suksesshme.  Para Kosovës janë superfuqi të xhudos, por vende me xhudo shumë të zhvilluar kanë mbetur po ashtu prapa Kosovës.

Ndërkohë Serbia nuk e ka fituar asnjë medalje. Dhe kjo është pritur shumë, shumë rëndë në Serbi.

KOHA ka mësuar se për shkak të nivelit shumë të lartë të ekipit të Kosovës në  xhudo, në Serbi kanë investuar miliona për të rivalizuar Kosovën në këtë sport. Bëhet fjalë për një lloj programi shtetëror. Janë angazhuar trajnerë të nivelit të lartë, janë motivuar sportistët. Por prapë medalje nuk u fituan.

“I gjithë aparati shtetëror është përfshirë vetëm e vetëm që Serbia ta kalojë Kosovën në xhudo Kryetari i Federatës serbe të xhudos për kohë të gjatë ishte njeriu i dytë i BIA-s. Tani është ambasador dhe shumë i afërt me presidentin e Serbisë, Vuçiq”, ka thënë një burim për KOHËN, shumë i afërt me zhvillimet në xhudon ndërkombëtare.

Lexo më shumë  Pjesëtarët e FSK-së trajnohen për përdorimin e mortajave në Kroaci

Serbia ka shpresuar të fitojë disa medalje në xhudo. Por nuk e fitoi asnjë. Për më tepër xhudisti serb, Nemanja Majdov, i njohur për qëndrimet anti-Kosovë dhe anti-shqiptare, bëri skandalin thuajse më të madh në garat olimpike në xhudo. Ai kishte sjellje josportive pasi humbi në luftën e parë, ndërsa më pas përmes një postimi bëri fyerjet më të rënda ndaj IJF-së dhe xhudos si sport në përgjithësi. Dënimi për Majdovin pritet të vijë shpejt.

Për dështimin në xhudo së fundi foli edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai ka pranuar forcën e Kosovës në sportin kryesor luftarak.

“Në xhudo, kroatët dhe shqiptarët e Kosovës kanë dëshmuar që janë më të suksesshëm se ne, ndonëse kemi pasur rezultatet më të mira ndonjëherë dhe kemi përparuar shumë. Por pa  medalje”, ka thënë Vuçiq të enjten në një konferencë për shtyp. Derisa ka folur për  xhudon, ai është parë shumë i dëshpëruar.

Kosova në tri paraqitje në Lojërat Olimpike i ka plot pesë medalje.

Të gjitha i ka nga sporti i xhudos. Në Rio 2016, Majlinda Kelmendi e fitoi medaljen e artë. Në Tokio 2020, Nora Gjakova e Distria Krasniqi fituan medalje të arta. Në Paris, Distria fitoi medalje të argjendtë e Laura Fazliu të bronztë. Ndërkohë Akil Gjakova u rendit i pesti, ndonëse ishte shumë pranë medaljes.

Falë xhudos, Kosova vazhdimisht është në listën e vendeve me medalje. Dhe vendet fqinje e shohin me lakmi. Natyrisht, disa edhe me xhelozi.

Rruga Press

YouTube player