KryesoreOpinion/Aktualitet

Kosova dhe unioni anti-Kurti

Shkruan Arben Taravari

Sa herë dëgjon fjalën Kosovë të shkon në mendje shteti më i ri shqiptar, lufta e shkuar por jo e largët që ka ndodhur në të, përpjeket e pashuara të Serbisë vuçiste për të vazhduar misionin e saj për të pushtuar Kosovën dhe një tendencë e Evropës dhe SHBA-ve për të pajtuar dy shtetet por disa herë jo shumë objektive.

Në Kosovë priten të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme tani ku kryeministri aktual Albin Kurti garon kundër gjithë spektrit tjetër politik (çfarë ka dhe çfarë nuk ka). Retorika e ndonjë politikani shqiptar kundër Kurtit është më e ashpër se sa ndonjë anëtar i partisë Lista Serbe (Srpska Lista). Aty ka shpërthyer ai që unë e quaj Unioni anti-Kurti. Në këtë union rreshtohen manjatët mediatikë me pushtetin e tyre, të cilin falë z.Kurti dhe demokracisë së tij kanë mundësinë fantastike t’a ushtrojnë pa asnjë censurë. Ky fenomen flet për një media të lirë deri në përsosmëri, gjë që ndeshet vetëm në vendet me zhvillim të lartë. Kjo është pikë që padëshirën e shumë mediave aktuale shkon në favor të z.Kurti sepse asnjë prej tyre nuk mund të qahet dhe ankohet se nuk e ka sharë, sulmuar dhe denigruar mjaftueshëm figurën e kryeministrit. Urrejta e tyre patologjike që vjen si derivat i prishjes së interesave të ngushtë, është më e madhe se arsyetimi i qetë.

Lexo më shumë  Walker lë në gjykatë dëshminë për krimet e luftës

Ndërkohë fakti se në SHBA Sekretar i Shtetit është emëruar Marko Rubio bën lajm të mirë për të drejtën në përgjithësi. Rubio njihet për ndjeshmërinë e tij të veçantë për Kosovën. Ai ka kontribuar në percepsionin e një politikani që i urren politikat despotike, kjo ndoshta edhe sepse ai është bir emigrantësh kubanë, dhe ka një aversion personal kundrejt agresionit politik. Dhe nëse hedhim një sy tek marrëdhënia Serbi-Kosovë është fare e thjeshtë të kuptohet se kush është agresori. Kështu kam një lajm ndoshta Jo aq të lumtur për antikurtët: Presidenti Trump pritet të aplikojë një politikë të vendosur për të imponuar Paqe, dhe me pragmatizmin që e karakterizon, nuk pritet që z.President të jetë pré e irracionalizmit serb dhe tekave të tyre.

Vuçiçi ndërkohë ka probleme me popullin e tij që duket se ka ecur shumë më përpara se Presidenti i tyre. Protestat masive në Beograd që kërkonin shkarkimin e tij vunë në hije çdo kremtim festiv të fundvitit. Ato kanë 2 muaj që vazhdojnë pa ndërprerje. Studentët po përkrahen nga Populli. Kryeministri Millish Vuçeviç dhá dorëheqjen e parevokueshme në mëngjesin e 28 Janarit. Situata sa vjen dhe përshkallëzohet. Ajo tashmë nuk mbahet vetëm nga studentët por janë bashkuar fermerë, intelektualë dhe personalitete të njohur të vendit. Protestuesit kërkojnë zbardhjen e rastit tragjik të ndodhur në stacionin hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 15 persona. Por gjithashtu Populli është ngritur në këmbë sepse është i tejmbushur me politikat agresive të Vuçiçit. Akuza qesharake se kinse protestat janë të mbështetura nga shërbimet e huaja që ja duan të keqen Serbisë, tingëllojnë si retorikë e atij derziu që donte të nxiste popullin për protestë me parrullën “Poshtë Populli”!

Lexo më shumë  Klan Kosova fton Kurtin në debat, VV i thotë se do ta shqyrtojnë në momentin që korporata “Devolli” ia kthen Telekomit 62.6 milionë eurot e zhvatura

Duket sikur darkod me Vuçiçin ka mbetur vetëm Vuçiç dhe ndonjë veteran apo nostalgjik i lajthitur që ushqen ende idetë e çmendura të Vasa Çubrilloviçit, akademikut famëkeq, i cili në vitin 1938 botoi një draft me titullin “Dëbimi i Shqipëtarëve”. Ky homofob kërkonte dëbimin e Shqiptarëve me dhunë nga Kosova. Politika ish-Jugosllave dhe ajo serbe nuk e ka dënuar ende këtë dokument të çartur dhe autorin e tij, por madje ai shërbeu si frymëzim për Sllobodan Millosheviçin dhe tragjeditë që ai mbolli në shtëpitë e Popullit Shqiptar!

Ndërkohë Kryeministri Kurti ndodhet në raporte të shkëlqyera me amerikanët. Tani madje edhe mé shumë sepse patriotizmi është tipar i fuqishëm tek Presidenti Trump dhe ai dhe kryeministri Kurti në këtë pikë mendojnë njësoj.

Realiteti për të zi të Unionit është më shumë se kurrë pro-Kosovës dhe Kosova nuk ka ku gjen Kryeministër më të përkushtuar ndaj saj se Albin Kurti, dashuria e tij për atë tokë dhe njerëzit e saj rezonon Cep më Cep!

YouTube player