Lajme

Kosova bëhet anëtare e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP)

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, ka dorëzuar instrumentet e aderimit të Republikës së Kosovës në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (International Commission on Missing Persons) me seli në Hagë, gjë e cila shënon hapin përfundimtar për anëtarësimin e Republikës së Kosovës si anëtare në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare.

Kështu bëri të ditur vetë Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, përmes një njoftimi në Facebook.

“Në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Holandës për dorëzimin e instrumenteve për aderimin e Republikës së Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, Ahmeti, falënderoi Drejtorin e Divizionit të Traktateve, z. Jules van Eijndhoven për rolin konstruktiv të Qeverisë së Mbretërisë së Holandës, si shtet depozitar për konventën mbi themelimin e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur”, thuhet në njoftim.

Lexo më shumë  SPAK ‘zbërtheu’ bandën e Suel Çelës! Arrestohen Xhino dhe Marsel Roka, dy vëllezërit e drejtoreshës së Agjencisë së Zhvillimit të Territorit

Ahmeti ka falënderuar zyrtarët e pranishëm të ICMP për angazhimin dhe kontributin e tyre shembullor në Kosovë për më shumë se dy dekada.

Ai njëherësh përsëriti përkushtimin e Republikës së Kosovës në promovimin dhe avancimin e rolit të kësaj organizate të shprehur në takimin me Drejtoren Ekzekutive të Komisionit, z. Kathryne Bomberger, të mbajtur më 22 maj të këtij viti, me ç ‘rast Komisioni ishte njoftuar për hapat që Republika e Kosovës kishte ndërmarr për t’u bërë pjesë e kësaj organizate.

Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur është organizatë ndër-qeveritare e themeluar në vitin 1996, e cila adreson çështjen e personave të zhdukur në rrethana të konflikteve të armatosura, shkeljes së të drejtave të njeriut, fatkeqësive natyrore, krimit të organizuar, migrimit ilegal, etj.

Lexo më shumë  Drejtoresha që e lidh bandën e Suel Çelës drejtpërdrejt me Ramën

Komisioni ka selinë në Mbretërinë e Holandës, në qytetin e Hagës, dhe është e vetmja organizatë ndërkombëtare e ngarkuar ekskluzivisht për të punuar në çështjen e personave të zhdukur.

Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur ka qenë i angazhuar intensivisht edhe në Kosovë, përgjatë dhe pas luftës së fundit, duke luajtur një rol të jashtëzakonshëm në zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, dhe ofrimin e mbështetjes së nevojshme në procesin e identifikimit e mbetjeve mortore përmes përdorimit të metodave shkencore të identifikimit.

Rruga Press

YouTube player